Dragash, 29 shtator 2015 – Para një jave është përkujtuar ushtari turk, i cili humbi jetën aksidentalisht, duke i pastruar minat serbe në Dragash, në kuadër të aksionit që kishte organizuar KFOR-i.
Për ta mbajtur në kujtim, në qendër të Dragashit i është ngritur një përmendore nënoficerit turk, ku për çdo vjet organizohen homazhe, duke e radhitur në rangun e dëshmorëve.
Në shënimin e këtij përvjetori të vdekjes së nënoficerit turk, Husein Kutlu, morën pjesë ushtria turke, e cila shërben në vendin tonë në kuadër të KFOR-it, ambasada turke në Kosovë, si dhe përfaqësues të autoriteteve lokale të Dragashit, me në krye Salim Jenuzin, kryetar i Komunës së Dragashit.
Rreshteri, Husein Kutlu, më 22 shtator 1999, humbi jetën tragjikisht në bjeshkët e Sharrit, në komunën e Dragashit, duke i çmontuar minat që kishte vendosur ushtria serbe gjatë luftës. Ceremonia është organizuar këtë vit me tradita fetare dhe me fjalime të zyrtarëve turq, por pa përkthim në ndonjërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës. Prandaj, ne ju sjellim pamjet nga kjo ceremoni, ku fjalimet mund t’i kuptojnë vetëm ata që e njohin gjuhën turke.
• Shiko pamjet – VIDEO