Bon, 26 janar 2015 – Boshnjakët janë kosovarë të vërtetë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina po humbë shumë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, pohon deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Bale, në një intervistë për Deutsche Welle.
Në pyetjen e kësaj shtëpie informative gjermane dhe jo vetëm, se cilat janë problemet dhe prioritetet kryesore të boshnjakëve në Kosovë, Bale thotë se bashkësia etnike boshnjake, për nga numri i tyre në Kosovë, është e treta, pas shqiptarëve dhe serbëve. “Problemi më i madh i boshnjakëve në Kosovë, është që ata nuk i kanë Komunat e veta, për dallim prej bashkësive të tjera etnike. Serbët i kanë Komunat e tyre, ndërkohë që edhe bashkësia etnike turke, e cila ka dyfish më pak banorë në Kosovë, ka Komunën e vet në Mamushë. Probleme shumë të mëdha kemi edhe me arsimin. Gjuha zyrtare boshnjake ekziston në Prizren, Pejë dhe Dragash, ku jeton numri më i madh i boshnjakëve. Ne kemi problem të madh me mungesën e librave shkollorë. Problem tjetër i madh është nostrifikimi i diplomave, sepse, megjithë marrëveshjen në Bruksel, diplomat e boshnjakëve që kryejnë shkollat dhe fakultetet jashtë Kosovës, ende nuk njihen. Kjo sjell me vete probleme të tjera sepse ne kemi katedrën për gjuhën boshnjake në Universitetin e Prizrenit dhe atë të Pejës, por nuk kemi profesorë, sepse diplomat e tyre nuk njihen në Kosovë. Për njohjen e diplomave, jemi duke kërkuar zgjidhje me ministrin e Arsimit dhe me zonjën Edita Tahiri, e cila e drejton dialogun me Serbinë. Por, mendoj se Serbia nuk është e interesuar fare që të zgjidhë problemin me njohjen e diplomave. Serbia ka ndaluar nostrifikimin e diplomave dhe Kosova, sipas sistemit të reciprocitetit, ka qenë e detyruar të ndalojë nostrifikimin e diplomave nga Serbia”, ka deklaruar Bale, duke shtuar se ky është një diskriminim direkt që po iu bëhet boshnjakëve. “Serbët nuk i kanë këto probleme, sepse asnjë serb deri më sot nuk ka konkurruar për vendet e lira në Universitetin e Prizrenit, të Pejës apo të Prishtinës. Ndaj, më të dëmtuarit jemi ne – boshnjakët. Kemi dhe raste kur diplomat janë nostrifikuar në Bruksel, por nuk njihen në Kosovë. Probleme shumë të mëdha kemi edhe me papunësinë e lartë, por këtu ndajmë fatin e të gjithë banorëve të Kosovës. Pengesë e madhe është edhe mosnjohja e gjuhës shqipe nga të rinjtë boshnjakë. Pasi të rinjtë tanë nuk mund të shkollohen në të gjitha drejtimet në Kosovë, ne i dërgojmë fëmijët në Serbi, Bosnjë apo Maqedoni. Kështu krijohen akademikë boshnjakë, të cilët nuk e njohin gjuhën shqipe dhe nuk mund të konkurrojnë në tregun kosovar të punës”, vazhdon Bale, duke shtuar se, si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe deputete në mandatin e dytë, është e vetëdijshme për këto probleme. “Një pjesë të problemeve mund ta zgjidhim ne vetë, ndërsa pjesën tjetër duhet të presim që ta zgjidhim në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Për nostrifikimin e diplomave, unë jam përpjekur të bisedoj me të gjithë përgjegjësit. Ne po përpiqemi të gjejmë ndonjë zgjidhje të përkohshme, për aq kohë sa ky problem nuk zgjidhet në nivelin shtetëror, mes Kosovës dhe Serbisë. Një prej problemeve që mund ta zgjidhim brenda Kosovës, janë Komunat tona. Këtë problem, me siguri që mund ta zgjidhim ne në Kosovë. Ish-kryeministri Thaçi na ka premtuar shumë herë gjatë fushatave parazgjedhore krijimin e Komunave me shumicë boshnjake. Këto premtime i ka dhënë hapur, para 3-4 mijë boshnjakëve, gjatë fushatës elektorale në Prizren – pasi ne kemi kërkuar tri komuna të posaçme boshnjake; në Prirzren, në Pejë dhe në Dragash. Nuk e di fare, nëse këto kërkesa janë futur në procedurë. Sidoqoftë, deri tani udhëheqësit e Kosovës, vetëm kanë premtuar, me synim që të fitojnë votat e boshnjakëve. Ne kemi biseduar edhe me kryeministrin e ri, Isa Mustafa, por deri tani ai nuk ka premtuar asgjë”, i ka thënë Bale mediumit – Deutsche Wele.
Në pyetjen, nëse është e përfshirë edhe ajo në procesin e dialogut, pasi pohon se ka edhe probleme që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me komunitetin boshnjak, Duda Bale përgjigjet negativisht. “Jo, nuk jemi fare të përfshirë. Para disa ditësh kam biseduar me zonjën Tahiri dhe kam kërkuar që të përfshihemi në dialog, në pjesën që ka të bëjë me njohjen e diplomave. Por, zonja Tahiri më ka thënë se ky është dialog mes dy shteteve dhe s’ka të bëjë fare me bashkësitë e tjera etnike. Megjithatë, ajo ka treguar gatishmëri që të konsultohet me ekspertë që e njohin situatën në terren. Dhe, nëse rezulton si e domosdoshme, do të na përfshijë edhe në negociata”, ka thënë Bale.
Ndërkaq, në lidhje me krijimin e një asociacioni të Komunave me shumicë serbe, DW e ka pyetur Balen se si e shohin boshnjakët këtë proces dhe a mendon se do të duhej që ky asociacion të ketë edhe të drejta ekzekutive. Bale është përgjigjur se e ka të qartë që kjo është një lojë mes shqiptarëve dhe serbëve. “Ne, edhe Kushtetuta dhe ligjet na quajnë ‘të tjerët’, pasi thuhet shqiptarët, serbët dhe të tjerët. Kjo, me siguri nuk është mirë. Këtu flitet shpesh për integrimin e serbëve në Kosovë, por pas të gjitha atyre që kanë ndodhur në luftë dhe pas saj, mendoj se Kosova vërtetë është duke humbur shumë kohë me serbët, të cilët nuk duan të integrohen. Në Kosovë kemi dy kategori njerëzish; ata që e njohin Kosovën dhe të tjerët. Unë nuk e njoh asnjë serb që thotë se Serbia nuk është shteti i tij amë. Ndërkohë që edhe një numër i madh i shqiptarëve e trajton Shqipërinë si vendin amë. Vetëm ne boshnjakët jemi kosovarë të vërtetë. Ne nuk kemi kontakte me Bosnjën, e cila deri më sot nuk ka treguar aspak interes për ne. Unë e kuptoj që Bosnja është një shtet shumë i komplikuar, sepse atje nuk vendosin vetëm boshnjakët dhe ekziston e drejta e vetos së serbëve dhe kroatëve. Bosnja, deri më sot nuk na ka ndihmuar. Pra, ne nuk kemi shtet tjetër. Kosova është shteti i vetëm që kemi. Ndaj dhe jemi të interesuar që të gjitha problemet tona t’i zgjidhim në vendin tonë – në Kosovë. Shumë herë kemi bërë përpjekje të vendosim kontakte të ngushta me Sarajevën, por për fat të keq nuk kemi arritur. Ju e dini se Bosnja është vendi i vetëm në rajon që ka futur viza për kosovarët. Bosnja është fajtore për këto viza dhe jo Kosova, sepse Kosova është detyruar të vendosë viza për boshnjakët, sipas sistemit të reciprocitetit. Pushteti në Sarajevë nuk është vetëm pushtet i boshnjakëve. Ata mbase brengosen për ne, por deri më sot ata nuk kanë treguar kurrfarë interesi ndaj nesh. Unë i lutem Zotit, që Bosnja të mos ndodhë edhe në Kosovë. Pra, që edhe këtu të ketë ndarje të ngjashme të pushtetit sikurse në Sarajevë. Kjo ka bërë që liderët boshnjakë në Bosnje të mos mund të kujdesen as për ne këtu në Kosovë. Unë nuk i fajësoj ata, sepse i kanë duart e lidhura. Ne nuk kemi nevojë për ndihma financiare, por vetëm morale. Thjesht, të dimë që ekziston dikush që kujdeset për ne dhe mund të na ndihmojnë, të paktën me këshilla.
Bosnjë-Hercegovina, si vendi i vetëm që ka futur viza për kosovarët nga vendet e ish-Jugosllavisë, më shumë ka dëme sesa dobi nga këto viza, sepse kjo pengon edhe marrëdhëniet ekonomike. Problemi më i madh në Sarajevë është pamundësia që boshnjakët të vendosin vet. Rolin vendimtar e ka luajtur këtu vetoja e serbëve. Por, edhe këtu viktima më e madhe jemi ne – boshnjakët e Kosovës. Serbët e Kosovës kanë pasaporta të Serbisë dhe pa viza mund të shkojnë në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërsa shqiptarët, pothuajse nuk kanë nevojë të shkojnë atje. Kush është viktima këtu? Ne boshnjakët e Kosovës! Ne kemi vetëm pasaporta të Kosovës dhe na duhen vizat. Ne kemi kërkuar shumë shpesh zgjidhjen e këtij problemi. Kosova e ka thënë shumë qartë se menjëherë do t’i heqë vizat, por hapin e parë duhet ta bëjë Bosnja. Mendoj se në të gjithë procesin e pasluftës dhe tensioneve, në raportet shqiptaro-serbe, më së shumti jemi dëmtuar ne boshnjakët. Serbët gjithmonë janë më të privilegjuar”, thotë bale, për t’iu përgjigjur më pas edhe pyetjes, nëse Sarajeva duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Po, Bosnja duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Mendoj se kjo do të përmirësonte edhe pozitën e boshnjakëve në Kosovë. Bosnjë-Hercegovina po humbet shumë me mosnjohjen e Kosovës. Kosova është një treg shumë interesant dhe me mosnjohjen e saj, Bosnjë-Hercegovina humbet shumë, ndërsa më së shumti përfitojnë Serbia dhe Maqedonia. Kosova ka një pozitë shumë të mirë gjeografike dhe mund të furnizohet nga shumë vende të tjera. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina ka humbur shumë me humbjen e këtij tregu”, thotë znj. Bale, por që redaksia e DW-së insiston në pyetjen paraprake, duke i thënë se, nëse shqiptarët dhe serbët nuk duan ta ruajnë integritetin e Kosovës, boshnjakët me siguri që nuk do t’ia dalin në këtë drejtim. Dhe, a duhet të ketë bashkësia e Komunave serbe të drejta ekzekutive, sepse shumëkush në Kosovë mendon se forcimi i Komunave serbe, mund të jetë hapi i parë drejt ndarjes së Kosovës.
Në këtë pyetje dhe konstatim, Bale e pranon se boshnjakët vërtetë nuk mund ta ruajnë Kosovën në këtë rast. “Ne nuk mund ta ruajmë, por të tjerët duhet të ndjekin shembullin tonë. Sa i përket ndarjes, mendoj se edhe Serbia e ka të qartë se Kosova është shtet i pavarur. Mendoj se gjysma e Serbisë nuk ka asnjë problem me njohjen e këtij fakti. Ndaj, është jologjike krijimi i ndonjë mekanizmi që do të çonte në ndarje të Kosovës. Mendoj se serbët këtu kanë frikë për të ardhmen e tyre, ndaj po përpiqen të krijojnë një lloj ekuilibri me pushtetin e shqiptarëve këtu.
Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mund të ekzistojë, vetëm në qoftë se është asociacion kosovar. Shqiptarët në Kosovë janë shumicë dhe besoj që serbët definitivisht nuk do të mund t’i realizojnë qëllimet e tyre të parashikuara me këtë Asociacion. Në rregull është që serbët të kenë bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, por shqiptarët janë ata të cilët gjithmonë do të vendosin për fatin e Kosovës”, thotë prerazi znj. Bale në intervistën për Deutsche Welle.
Duda Bale flet për Bosnjën dhe raportet e saj me Kosovën!
POSTIMI PARAPRAKProtestat e sotme lanë pa fjalë çdonjëri (Video)
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.