Prishtinë, 22 tetor 2014 – Sporti i Kosovës sot ka shënuar hapin më të madh drejtë pjesmarrjes në garat ndërkombëtare, që nga shpallja e Pavarësisë. Bordi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar ka votuar për pranim të Kosovës, anëtare me të drejta të barabarta.
Ndonëse ky pranim llogaritet si i përkohshëm, për faktin se vendimi duhet të votohet edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit, e cila mblidhet në dhjetor të këtij viti, bazuar në praktikat e mëhershme, Asambleja pothuajse në asnjë rast nuk ka votuar kundër vendimeve të Komitetit Olimpik. “Me kënaqësinë më të madhe dhe me gëzim e emocione të papërshkrueshme, kam nderin të ju njoftoj se me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Besim Hasani, sapo morem lajmin që Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar si anetar i përkohshëm në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Urime sportistëve tanë. Urime mbarë Kosovës”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasnqi.
Për këtë vendim nuk ka vonuar as reagimi i kryeministrit në detyrë, Hashim Thaçi, i cili përmes profilit të tij në Facebook, ka shkruar se po realizohet ëndrra e gjeneratave të tëra të sportistëve kosovarë. “Sapo mora lajmin më të mirë të mundshëm nga ministri i Sportit, Memli Krasniqi. Kosova është pranuar si anëtare e përkohshme e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Vendimi hap dyert për pjesëmarrje të Kosovës në Olimpiada dhe për pranim të sporteve në federata olimpike. Kjo është ëndërra e gjeneratave të tëra të sportistëve kosovarë dhe sot falënderojmë ata që gjatë kohërave më të rënda kanë mbajtur gjallë shpirtin olimpik. Urime Komitetit Olimpik të Kosovës, urime kryetarit Hasani, urime të gjithë sportistëve! Caku i rradhës, olimpiada në RIO!”, ka shkruar kryministri.