Rrëzohet shtatorja gjigante e Leninit (Video)


vladimir ilic leniniKharkiv, 29 shtator 2014 – Shtatorja e Leninit, që prej natës së mbrëmshme nuk ndodhet më në sheshin kryesor të qytetit ukrainas, Kharkiv. Ajo u rrëzua nga disa qindra njerëz që ishin mbledhur në shesh, për të shfaqur pakënaqësinë ndaj simboleve të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të gjithçkaje që ka lidhje me federatën e tanishme ruse, raporton BBC.
Edhe qyteti Kharkiv, që është afro 20 kilometra larg kufirit me Rusinë, në muajin mars dhe prill ishte skenë e përleshjeve të dhunshme ndërmjet separatistëve prorusë dhe forcave qeveritare ukrainase. Separatistët prorusë në këtë qytet e kishin mbrojtur shtatoren e Leninit, gjatë përpjekjeve të mëparshme të qytetarëve ukrainas për ta larguar atë nga sheshi. Në lindje të Ukrainës, në dy rajone, Donjeck dhe Luhansk, deri në arritjen e armëpushimit, muajin e kaluar, ishin vrarë rreth 2 mijë persona gjatë luftimeve mes rebelëve prorusë dhe trupave qeveritare ukrainase. Nxitja e këtyre rajoneve, për tu shkëputur nga Ukraina, erdhi pas shpalljes së pavarësisë së gadishullit ukrainas, Krimesë, dhe aneksimit të saj nga Federata Ruse.
Armëpushimi në lindje të Ukrainës u bë i mundshëm pas presioneve të Perëndimit dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, e cila kishte dërguar trupa, të maskuara si separatistë, për të luftuar kundër forcave ushtarako-policore ukrainase. Rusia, megjithkëtë, asnjëherë nuk e ka pranuar ndërhyrjen në Ukrainë, por vazhdimisht e ka nxitur luftën, duke iu dhënë të drejtë separatistëve prorusë, për të luftuar për ndarje nga Ukraina.
Vladimir Iliç Uljanov – Lenini (10 prill 1870 – 21 janar 1924) ishte një revolucionar rus, politikan komunist, pjesëmarrës dhe lider në Revolucionin e Tetorit. Ishte udhëheqësi i parë i Republikës Sovjetike Socialiste Ruse dhe, që nga viti 1922, lider i parë i Bashkimit Sovjetik.

Shiko pamjet Video, KËTU!