Në Dragash u përkujtua oficeri turk, Huseyin Kutlu!


perkujtim huseyin kutluDragash, 22 shtator 2014 – Nën organizimin e Shoqatës Kulturore “Ymer Prizreni”, sot u përkujtua ofeceri turk, Huseyin Kutlu, i cili në ditën e sotme të vitit 1999 humbi jetën tragjikisht, në afërsi të Dragashit, duke i çmontuar minat që kishin mbetur pas largimit të ushtrisë serbe nga Kosova.
Fillimisht, me një fjalë përshëndetëse, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili tha se popullata e kësaj ane nuk do ta harrojë kurrë guximin dhe trimërinë që tregoi ky oficer, i cili humbi edhe jetën e tij duke e pastruar terrenin tonë nga minat.
Në këtë manifestim, fjalim mbajti edhe komandanti i artilerisë turke që vepron në kuadër të KFOR-it, koloneli Omer Faruk Demircioglu, i cili foli për jetën dhe veprimtarinë e këtij ushtaraku shembullor.
Krijuesit e ndryshëm letrarë, secili në gjuhën e vet amtare, recituan poezi që ndërlidheshin me veprën e ushtarakut Kutlu. Krijuesi, Arif Bozaxhi, recitoi në gjuhën turke dhe atë shqipe, duke u pasuar nga krijuesit e njohur në gjuhën turke, Agim Rifat dhe Fikrim Shishko.
Në këtë përkujtim u paraqiten edhe dy krijuesit nga Opoja, Ibrahim Skenderi, Abaz Çengaj dhe Mirsat Kuteli, si dhe krijuesi nga Prizreni, profesori i njohur, Sabri Bresa. Ndërkaq, kryetari i shoqatës kulturore “Ymer Prizreni”, i cili ishte meritor i këtij organizimi, Bedri Halimi, recitoi një poezi që ia kishte kushtuar oficerit të ndjerë, Huseyin Kutlu, të cilit i dha epitetin e dëshmorit.
Në fund, këngëtarët nga Opoja, Riad dhe Mirhat Lecaj, në gjuhën shqipe kënduan këngën e njohur turke për Çanakalanë. Këngë kjo që është bërë pjesë e folklorit shqiptar, për shkak të pjesëmarrjes së shumë shqiptarëve në luftën e Çanakalasë. Po këtë këngë, në gjuhën turke e këndoi edhe këngëtari i njohur nga Prizreni, Mikush Zhëllta.
Komandanti i batalionit turk të KFOR-it, në shenjë mirënjohje, i ndau një plaketë organizotorit të këtij manifestimi, Bedri Halimit. Ky i fundit tha se “Huseyin Kutlu nuk është më vetëm dëshmor i popullit turk, por është edhe dëshmor i yni, ashtu siç shumë shqiptarë që kanë rënë në luftën e Çanakalasë, e që nuk janë vetëm dëshmorë të Kosovës por edhe të Turqisë”. Halimi bëri edhe një paralele, duke shtuar se “përderisa në luftën e Çanakalasë ishte paraparë shfarosja e popullit turk, edhe në luftën e Kosovës ishte paraparë shfarosja e popullit shqiptar, por që asnjëri nga këto synime nuk u arrit nga armiqtë tanë”
Krejt në fund, tek pllaka përkujtimore, e cila gjendet në qendër të Dragashit, në shenjë përkujtimi për ushtarakun, Huseyin Kutlu, u vendosen buqeta lulesh.