Prishtinë, 31 korrik 2014 – Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë vendim për kthimin e menjëhershëm në Prishtinë të të ngarkuarit me punë në Mal të Zi, Xhafer Ahmetit, pas skandalit që bëri ky i fundit në një postim në rrjetin social Facebook, ku ai e ka ofenduar rëndë ish- kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, duke e quajtur atë psikopat.
Pas këtij postimi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit Hoxhaj, me arsyetimin se postimet e tilla nuk korrespondojnë me rregullat diplomatike dhe me sjelljet e një diplomati. “Komentet e tij nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve të Kosovës. Ministri Hoxhaj personalisht dhe i tërë populli i Kosovës i janë mirënjohës ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për kontributin e tij të madh që ka dhënë për Kosovën”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.