Dragash, 08 qershor 2014 – Ndërkohë që numërimi i votave po vazhdon, dega e PDK-së në Dragash e ka shpallur fitoren në këtë komunë dhe menjëherë ka filluar festa në frymën e fitores. Qindra simpatizantë të PDK-së kanë vërshuar në Dragash për të kremtuar fitoren, me vallëzim tradicional, me lodra e cyrle. Për pak caste, valles i ka prirë edhe kreu i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili i përketë kësaj partie.
Në shëshin kryesor të Dragashit është parë edhe kandidati për deputet i kësaj partie, Bedri Halimi, i cili ka pranuar urime të shumta nga qytetarët për fitoren e partisë, ndonëse ende nuk dihet nëse ai vet ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Deri në orën 24:00, nga numërimi i 92,98% të votave nga KQZ-ja, rezultati aktual është 30,49% për PDK-në, kundrejtë LDK-së e cila aktualisht ka 29,71% të votave. Ndërkaq, nga treva e Gorës, vazhdon të prijë Koalicioni VAKAT, me 11,49% të votave.