Gjithçka gati për zgjedhjet e sotme – Votoni të gjithë!

kosova-sot-votonPrishtinë, 08 qershor 2014 – ​Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka konfirmuar përgatitjen e KQZ-së për mbajtjen e zgjedhjeve të sotme në vendin tonë, duke thënë se në këto zgjedhje mund të votojnë edhe personat me nevoja të veçanta si dhe ata që janë të verbër apo me të pamur të dobësuar. “Po bëhet një muaj prej se KQZ-ja është marrë në mënyrë intensive me përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për një muaj KQZ ka punuar vazhdimisht, me gjithë potencialin tonë, për të krijuar kushte që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote të mund të realizojnë këtë të drejtë universale. Përveç votuesve të rregullt, të cilët mund ta hedhin votën e tyre në vendvotim, KQZ ka krijuar edhe mundësi për të votuar personat me nevoja të veçanta. Ndërsa, personave të verbër dhe atyre me të pamur të dobësuar iu ofrohet mundësia për të votuar përmes shablloneve të alfabetit të Brajlit”, ka thënë Daka, duke shtuar se këto zgjedhje janë të rëndësishme për vendin tonë. Daka ka thënë se në këtë proces do të marrin pjesë edhe vëzhgues nga BE-ja dhe vende të ndryshme të botës, teksa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin në votime. “Në emër të KQZ-së, dua të ju bëjë thirrje të gjithë akterëve të këtij procesi zgjedhor, që ta kryejnë detyrën e tyre, ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë, të zhvillojmë zgjedhje fer, demokratike, të lira dhe sipas standardeve ndërkombëtare”, është shprehur Daka, duke u zotuar se edhe në këto zgjedhje, rezultatet preliminare pritet të publikohen në orët e vona të së dielës.
Të dielën qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të votojnë për kandidatët e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për dhjetë ditë fushatë, 30 partitë politike që janë certifikuar nga Komisioni Qendrorë Zgjedhorë, kanë pasur mundësinë që t’i paraqesin programet e tyre politike, si ofertë për qytetarët. Numri i përgjithshëm i subjekteve politike që do të marrin pjesë në këto zgjedhje, sipas KQZ-së, është 30, prej tyre janë 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 1 kandidat i pavarur dhe 4 koalicione. Në anën tjetër, përmes një kumtese të përbashkët të përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së, që janë të pranishme në Kosovë, theksohet se këto do të jenë zgjedhjet e para të përgjithshme, pas përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit me BE-në. Për të qenë zgjedhjet sipas standardeve evropiane, Misioni i OSBE-së do t’i monitoroj ato dhe, së bashku me vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë dhe lokalë, do ta vlerësojë korrektësinë dhe procedurat.
Në zgjedhjet e sotme garojnë 1235 kandidatë, të cilët presin votat e 1 milion e 782 mijë e 54 qytetarëve me të drejtë vote, përfshirë edhe komunat veriore të vendit.