Dragash, 29 maj 2014 – Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar dje në Dragash programin e saj qeverisës, si dhe kandidatin e saj për deputet nga kjo komunë, Ismail Ahmetin.
I bindur në fitoren e këtij subjekti, është shprehur, Rexhep Selimi, duke thënë se Vetëvendosje çdo ditë e më shumë po rritet. “Alternativa jonë qeverisëse, do të jetë programi qeverisës. Për këtë duhet ta kthejmë datën 8 qershor, në datën e fitoren së Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Selimi, duke premtuar se Dragashi nuk do të ndahet, sikurse që nuk do të ndahet as Mitrovica, e cila, sipas tij, do të bashkohet pas fitores së Vetëvendosjes.
Për pikat e Alternativës Qeverisëse, para qytetarëve që ishin mbledhur në Dragash, ka folur edhe kryetari i kësaj lëvizje, Albin Kurti. Ai tha se qeverisja e tij synon ta zbusë pabarazinë dhe ta bëjë jetën e qytetarëve më të kollajshme, e më të dinjitetshme. “Me qeverinë e Vetëvendosjes, shporta e konsumatorit kosovar do të jetë më e rëndë për nga pesha dhe më e lirë për nga çmimi. Qeverisja e Vetëvendosjes do t’i nxjerrë nga kriza dhe mjerimi edhe punëtorët edhe të papunët, edhe Sharrin edhe Kosovën”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Vetëvendosje angazhohet për një shoqëri, pa privilegje e diskriminime. Ndërkaq, kandidati i Vetëvendosjes nga kjo komunë që garon për deputet, Ismail Ahmeti, tha se qytetarët e Dragashit meritojnë një qeverisje më të mirë. “Është një fat i madh që këtë herë keni mundësi ta bëni ndryshimin. Shteti nuk është spektator, por faktor dhe me rol aktiv në hartimin e politikave që punësojnë më shumë njerëz”, ka thënë Ahmeti.