Prishtinë, 02 prill 2014 – Jo të gjithë studentët i janë gëzuar vendimit të qeverisë, për zbritje të pagesës prej 50 për qind, për studimet bachelor dhe master, në Universitetin publik. Madje, edhe ky vendim po konsiderohet nga disa, si pjesë e, siç po shprehen, fushatës së parakohshme që po zhvillon kryeministri. Sebahate Gashi, studente e vitit të katërt në Fakultetin juridik, pranë Universitetit “Hasan Prishtina”, thotë se ky vendim është pjesë e fushatës intensive të kryeministrit Thaçi dhe se nuk ka të bëj fare më përmirësimin e gjendjes sociale. “Në Kosovë ka shumë njerëz, të cilët kanë diplomuar, por nuk po munden të gjejnë punë. Pasi kanë dalë nga bankat e fakultetit, ata përpiqen të gjejnë punën adekuate, e cila iu përshtatet kualifikimeve të tyre. Në një moment, ata ndalen, pasi e kuptojnë se sa rëndë është të gjendet punë, kur konkurrentë i kanë kolegët e tyre të pasur, prindërit e të cilëve kanë ndikim të mjaftueshëm në qeveri. Studentët me cilësi të larta, më shpesh përfundojnë duke punuar punë fizike, me të ardhura minimale, se sa që iu jepet mundësia që kualitetin e tyre ta ofrojnë në vende pune profesionale, ku do të mund të marrin edhe rroga më të larta. Ky është problemi i studentëve që tashmë kanë diplomuar. Qeveria, duket se studentët, sikurse mbarë popullin, po e shikon si fletë-votim”, thotë për Radio Sharrin, Sebahatja, duke shprehur bindjen se ajo personalisht po ndihet përballë kësaj qeverie si një fletë-votim.
Qeveria e Kosovës, gjithashtu ka nxjerrë vendim edhe për uljen e çmimit për 50 përqind, për studentët që ushqehen në mensë dhe për ata që jetojnë në konvikte. Kryeministri Thaçi, në mbledhjen e rregullt të qeverisë, pohoi se vendimi është marrë pas konsultimit me ministrin Buja dhe duke marrë parasysh nevojën për lehtësim dhe krijimin e kushteve sa më të mira, për 60 mijë studentë të universitetit publik. “Derisa kemi bërë rritje të pagave për profesorët, po bëjmë edhe zbritjen e çmimit prej 50 për qind, për studentët që studiojnë bechelor, master, si dhe për ata që ushqehen në mensë dhe ata që banojnë në konvikte. Kjo zbritje do t’i ndihmojë studentët dhe familjet e tyre”, ka njoftuar kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky vendim hyn në fuqi nga maji i këtij viti.
Studentja, Sebahate Gashi, thotë se nuk do të lejoj që të konsiderohet si votë, por do të ngrejë zërin sa më lart, për ta kundërshtuar këtë vendim të qeverisë. “Unë nuk jam flet-votim. Unë kam shumë të drejta të garantuara me konventa ndërkombëtare. Ku ishte qeveria, kur u hap afati për pagimin e semestrit? Tani, kur më shumë se gjysma e studentëve e kanë paguar semestrin veror, nxirret vendimi për uljen e çmimit. Përse nuk u mor vendimi, para se të hapej zyrtarisht afati për pagesën e semestrit? Për mua, kjo është pjesë e fushatës së egër që po zhvillon kryeministri Thaçi, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, me synim mbajtjen në pushtet të partisë së tij. Nuk është në rregull të bartet fushata parazgjedhore edhe në Universitet. Për më tepër, konsideroj se do të ketë përçarje, pasi dikush ka paguar çmimin e plotë, e dikush tjetër do ta paguaj përgjysmë më lirë. Do ta kundërshtojmë këtë padrejtësi, e cila duket se po kalon në plaçkitje. Ne që kemi paguar semestrin, do të kërkojmë të na kthehen të hollat që po del se i kemi dhënë tepër. Përse të mos jemi të barabartë? Përse të mos paguajmë të gjithë njësoj? Unë kam të drejtë të kundërshtoj këtë pabarazi”, shprehet Sebahate Gashi për Radio SHARRI-n, duke dyshuar se qeveria po kërkon shpëtim nga studentët, pasi që, siç thotë ajo, po e ndjen humbjen në këto zgjedhje.
Ulja e pagesave për studentët, nuk përkrahet nga të gjithë!
POSTIMI PARAPRAKKryeministri Thaçi vizitoi kreatoren, Krenare Rugova
POSTIMI I RADHËSRamadan Muja uron Erdoganin – Erdogan e falënderon Kosovën
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.
e forte a?
Mmmmmmmm