Dragash, 21 dhjetor 2021 – Ka mjaftuar një postim anonim në grupin “Opstina Gora” në Facebook që sërish të vërshojë revolta dhe urrejtja në komunën më të varfër të Kosovës, Dragash.
I fshehur pas emrit “Gorski Patriota”, dikush ka postuar një apel për ta larguar shtatoren e Adem Jasharit nga qendra e Dragashit, duke pretenduar se ai nuk e ka vendi aty. “Kur jemi kaq shumë luftëtarë për Gorën dhe kur e duam kaq shumë, ta bëjmë një peticion që të hiqet kjo mbetje nga Dragashi. Ta heqim qafe këtë terrorizëm nga Dragashi sepse, që nga ekzistenca e Kosovës, e Gorës dhe Krahkoshit, një qytezë kjo në qendër të Gorës sonë, pushteti i askujt nuk ka zgjatur shumë, kështu që as ky nuk do të zgjasë. Aty duhet të vendoset diçka gorane dhe jo një terrorist sipas Islamit, i cili ndalon çdo statujë”, ka shkruar ky person anonim në grupin e goranëve, ku për anëtarë ka edhe shumë shqiptarë e serbë.
Sakaq kanë vërshuar reagimet e shqiptarëve dhe, postimi është larguar nga grupi i lartcekur. Por, ata që e kanë skanuar atë postim vazhdojnë ta shpërndajnë, duke zgjuar kështu urrejtjen ndëretnike, e cila ka kohë që ishte në gjumë.
Në redaksinë tonë ka mbërritur edhe reagimi i OVL të UÇK-së në Dragash, ku apelohet për vetëpërmbajtje dhe kërkohet që askush mos të bie viktimë e këtij provokimi që vjen në anonimitet. “Po të ishte një thirrje apo publikim i ndonjë zyrtari apo të paktën e dikujt që do ta njihnim, natyrisht se nuk do të mungonte kundërvënia. Por, këtu kemi të bëjmë më një postim anonim, i cili ka për qëllim destabilizimin e komunës sonë. Po të ndodhte kjo, i njëjti përson do të qeshte me ne dhe do të ndihej krenar që ia doli të na trazojë nga paqja dhe qetësia ndëretnike”, tha për redaksinë tonë kryetari i OVL të UÇK-së në Dragash, Emri Neshati.
Redaksia jonë ka kontaktuar me administratorin kryesor të këtij grupi, Safet Kushin, i cili jeton në Zvicër, për të marrë reagimin e tij në lidhje me këtë postim. Por, ai nuk i dha shumë rëndësi kësaj, duke thënë se nuk e njeh këtë profil dhe nuk mund t’i kontrollojë mijëra anëtarë që ka ky grup. “Nuk ia vlen të merresh me një postim anonim, kur dihet se askush nga Gora nuk ka qenë i pajtimit për vendosjen e kësaj shtatoreje. Madje, askush nga zyrtarët goranë nuk ka marrë pjesë në përurimin e saj. Prandaj, reagime të tilla janë të pritshme. Dhe, ai që e ka postuar, pas pak kohësh edhe e ka larguar postimin sepse ka parë reagimet dhe, mbase ky ka qenë qëllimi i tij”, tha Kushi, duke shtuar se më së miri do të ishte të merreshim me krimet ekonomike që po ndodhin në Gorë.
Ndryshe, deri më tani askush nga zyrtarët e kësaj komune nuk ka reaguar, duke lënë të kuptohet se nuk ia vlen të merremi me këtë provokim që lansohet në anonimitet.
Kërkohet largimi i shtatores së Adem Jasharit në Dragash – Pasojnë reagimet!
POSTIMI PARAPRAKPër rastin Brezovica arrestohet edhe Bedri Halimi!
POSTIMI I RADHËSHidroregjioni Jugor shpërblen 50 konsumatorë të përgjegjshëm