Safet Kushi e përgëzon dhe e qorton Zinaida Elmazin!

zinaida elmazi safet kushiDragash, 01 shkurt 2016 – Për paraqitjen e saj në mbledhjen e parë të Kuvendit të Komunës së Dragashit, anëtarja nga koalicioni boshnjak “Vakat”, Zinaida Elmazi, ka marrë mbështetje nga, Safet Kushi, i cili aktualisht ndodhet në Zvicër dhe kohët e fundit është shumë aktiv në rrjetet sociale, duke e paralajmëruar formimin e Komunës së Gorës, ndërkohë që veten e quan si kryetar të saj.
“Të lumtë Zinaida. Krejt çfarë ke thënë, është e vërtetë, i pëlqeu kjo dikujt apo jo! Kryebashkiaku yt të jep mbështetje të plotë. Pak je vonuar, por më mirë dikur se kurrë. Ky është mandati yt i tretë, shpresojmë të katërtin në komunën e pavarur të Gorës”, ka thënë Kushi në mbështetjen që i ka dhënë anëtares së kuvendit të Dragashit.
Në një prononcim për Radio Sharrin, Kushi ka thënë se nuk e ka përkrahur Zinaidën, por vetëm paraqitjen e saj, rreth gjendjes së sigurisë në Dragash. “Secili që lufton për drejtësi, pavarësisht se cilës parti i përket dhe nëse është nga Opoja apo Gora, do ta ketë mbështetjen time. Por, nuk mund ta anashkalojmë faktin që Zinaida dhe partia e saj, Vakat, gjithë këto vite janë në pushtet dhe, para së gjithash duhet ta pranojnë dështimin në zgjedhjet e fundit. Të mos bëhen gaz i botës. Për këtë dështim, nuk është fajtor partneri i tyre nga PDK-ja. Zinaida duhet t’i kthejë paratë, të cilat, i ka marrë nga arka e Komunës, saktësisht nga llogaria e dr. Nihat Osmanit. Në llogarinë e saj janë derdhur mjetet dhe kjo nuk e paska ditur. Tani i është kujtuar ta sulmoj qeverisjen e Dragashit, alla gorane! Nëse është kaq patriote, ta braktisë Kuvendin”, ka thënë Kushi, ekskluzivisht për Radio Sharrin.
Kujtojmë se anëtarja nga radhët e koalicionit boshnjak “Vakat”, Zinaida Emazi, në mbledhjen e parë për këtë vit të Kuvendit të Komunës së Dragashit, pasi ka raportuar komandanti i policisë së Dragashit, lidhur me gjendjen e sigurisë, ka reaguar ashpër, duke e kundërshtuar raportin zyrtar, në të cilin gjendja e sigurisë paraqitej e mirë. Elmazi, madje, i ka thënë komandantit, Shaqir Uka, se gjendja e sigurisë është alarmante dhe katastrofale.

  1. Prape u lajmerue kjo kufoma e gjalle! Ruaji delot se ujqit kane kaluar kufirin ..!?

Leave a Reply