Thaçi shpalos programin ekonomik – Për 4 vjet, 200 mijë vende pune!

thaci misioni riPrishtinë, 14 maj 2014 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, të martën ua ka prezantuar planin e tij ekonomik qindra afaristëve më të njohur të vendit, në mesin e të cilëve ishin edhe afaristët më të mëdhenj nga komuna e Dragashit.
Planin e tij ekonomik Thaçi e ka pagëzuar me moton “Misioni i Ri”, për të cilin tha se për katër vjetët e ardhshme do të investohen 1.5 miliardë euro, përmes nëntë pikave, si themelimi i Fondit të Punësimit, krijimi i 200 mijë vendeve të punës, përmirësimi i klimës së biznesit, investimi prej 500 milionë eurosh në bujqësi, tërheqja e investimeve masive në sektorin e energjetikës dhe minierave, zhvillim cilësor të arsimit dhe edukimit, krijim të programit shtetëror të strehimit, së bashku me kompanitë kosovare të ndërtimit, investim prej 200 milionë eurosh dhe krijim i 4000 vendeve të reja të punës në turizëm dimëror, duke hapur Qendrën Ndërkombëtare të Turizmit në Brezovicë dhe vazhdimin e investimeve masive në infrastrukturë, thithja e fondeve nga donatorë ndërkombëtarë për ndërtimin e autostradës së Shkupit, si dhe ringjallja e hekurudhës.
“Misioni i Ri”, sipas Thaçit, ka për qëllim zhvillimin e hovshëm ekonomik, themelimin e Fondit të Punësimit për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik.
Kreu i PDK-së, edhe në promovimin e “Misionit të Ri”, nuk ka lënë pa përmendur qëllimet që i ka pasur në jetën e tij. “Pas arritjes së lirisë, realizimit të pavarësisë dhe konsolidimit shtetëror, Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet në ‘Misionin e Ri’, i cili ka për qëllim zhvillimin e hovshëm ekonomik, themelimin e Fondit të Punësimit për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke specifikuar se Fondi i Punësimit do të krijohet përmes riatdhesimit të fondeve të bllokuara në bankat e jashtme, që nga koha e UNMIK-ut, si dhe duke përdorur burime të tjera. “Po… 1.5 miliard euro do të përdoren për ta financuar rritjen e sektorit privat të ekonomisë. Do të hapen 200 mijë vende të reja pune në sektorët, si bujqësia, industria, infrastruktura, teknologjia informative, minierat, turizmi dhe shërbimet, duke dyfishuar kështu prodhimin vendës”, ka sqaruar Thaçi, duke bërë me dije se 500 milionë euro do të investohen vetëm në bujqësi, gjatë 4 vjetëve të ardhshme, duke hapur 50 mijë vende të reja pune.