Pacolli deklarohet kundër zgjedhjeve të parakohshme!

behgjet_pacolli_akrPrishtinë, 07 maj 2014 – Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se partia të cilën ai e drejton, është kundër zgjedhjeve të parakohshme. Pacolli ka akuzuar PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, të cilat, sipas tij, po e çojnë vendin në zgjedhje të papërgatitura. “Jemi para fillimit të takimit te presidentja dhe qëndrimi i AKR-së është i qartë, se nuk do të jemi pjesë e konspiracioneve politike të partive të mëdha. Ne nuk do të votojmë për zgjedhjet që nuk i plotësojnë kushtet për të qenë fer dhe presidentja e Kosovës, në këtë rast, mban përgjegjësi institucionale dhe kushtetuese që të mbikëqyrë interesin e qytetarëve. Por, po duket se është vetëm një iluzion”, ka shkruar në “Facebook” Pacolli, transmeton Epoka e Re.
Ai ka thënë se nuk është gjë e mirë që disa parti parlamentare të përjashtohen nga proceset e rëndësishme për vendin. “Nuk është normale dhe as demokratike që disa parti, të përfaqësuara në Parlament, të përjashtohen dhe, pavarësisht ndryshimeve në ideologjinë politike, unë jam shumë solidar me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është përjashtuar në këtë periudhë nga proceset e rëndësishme”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë duke bërë çmos që të arrijnë deri tek zgjedhjet. “Ne e dimë se tri partitë që po i prijnë këtij procesi, do ta shkatërrojnë Kuvendin dhe çdo gjë tjetër, në mënyrë që të arrijnë tek zgjedhjet. Këto zgjedhje nuk do të jenë fer dhe demokratike por do të jenë edhe një kamuflim i radhës, në kohën kur edhe organizmat ndërkombëtarë paralajmërojnë pamundësinë e vëzhgimit të zgjedhjeve, nëse ato mbahen brenda muajit”, ka deklaruar Pacolli.