Arrestimi i “xhihadistëve” u bë me bekimin e kryeministrit Thaçi!


hashim-thaci-bekimiPrishtinë, 11 gusht 2014 – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ishte ai që ka autorizuar mbrëmë operacionin e sotëm për lokalizimin dhe arrestimin e pjesëtarëve të dyshuar të grupeve që luftojnë në Siri dhe në Irak.
Këtë deklaratë, Thaçi ia ka dhënë të përditshmes “Wall Street Journal”, duke potencuar se numri i qytetarëve të Kosovës që dyshohen se janë të përfshirë përkrah organizatave, të shpallura ndërkombtarisht si terroriste, është disa dhjetra dhe jo siç pretendohet se janë disa qindra. “Një numër i vogël njerëzish është trimëruar përmes mediave sociale. Megjithatë, disa janë ndikuar edhe nga disa imamë, të cilët, së fundmi, janë kthyer nga Lindja e Mesme”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se Kosova është duke bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Turqinë, për t’i parandaluar qytetarët e Kosovës që të shkojnë në Irak dhe në Siri.
Gazeta citon kryeministrin e Kosovës në detyrë, të ketë shprehur zotimin se shteti do të përdorë gjithë forcën që ka, për të parandaluar cilindo individ apo grup që vë në rrezik tolerancën ndërfetare, e cila ndër shekuj është marrë si shembull kudo në botë.
Mëngjesin e sotëm, menjëherë pas arrestimeve që ndodhën, Thaçi ka freskuar profilin e tij në Facebook, duke e marrë përsipër bekimin që i ka dhënë këtij aksioni. “Siç kam paralajmëruar edhe javën e kaluar, organet shtetërore kanë filluar një aksion të gjerë kundër të dyshuarve për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë dhe Irakut. Dyzet persona janë arrestuar, nën dyshimin për pjesëmarrje në luftëra të huaja, duke e rrezikuar kështu sigurinë tonë kombëtare dhe rendin kushtetues. Ne jemi të vendosur që ta ndalim këtë të keqe dhe nuk do të ndalemi me kaq. E ritheksoj se, Kosova nuk do të jetë tokë e plleshme për armiqtë e vlerave Euro-Atlantike, të drejtat e njeriut, liritë e plota fetare dhe sistemin kushtetues sekular”, ka shkruat kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi.