Dragashi mbetet sërish pa telefoninë “Vala” – Disa herë po ia këpusin kabllon!

Dragashi mbetet sërish pa telefoninë “Vala” – Disa herë po ia këpusin kabllon!

Dragash, 30 maj 2019 – Dragashi për të katërtën herë po mbetet pa telefoninë “Vala”, si dhe sistemin elektronik që shfrytëzohet nga administratat e ndryshme. Kjo, sepse kompania që po kanalizon një kabllo elektrike, përgjatë magjistrales Zhur – Dragash, po e dëmton kabllon e Telekomit. “U bënë katër herë që punëkryesit në këtë projekt që s’ka lidhje me ne, nga pakujdesia po na e dëmtojnë kabllon optike dhe kjo po shkakton havari në gjithë sistemin tonë. Për çudi, gjithçka po kalon pa kurrfarë kompensimi për dëmin që po na shkaktohet, ku klientët tanë po mbesin pa sinjal telefonik dhe pa sistemin elektronik të cilin e shfrytëzojnë institucionet”, tha për redaksinë tonë zyrtari në postën e Dragashit, Jeton Ramadani.
Kujtojmë se muajin e fundit është vështirësuar qarkullimi në këtë magjistralë, për shkak të punimeve në hapjen e kanalit skaj rrugës, për ta shtrirë një largpërçues. Jo rrallë, mungon sinjalistika e duhur që paralajmëron punimet, si dhe sinjalistika për ekzistencën e kanalit skaj asfaltit.

KËRKO FJALËT