Bern, 08 mars 2021 – Në Zvicër është miratuar vendimi në referendum për ndalimin e mbulesave të fytyrës. Pas numërimit të votave në referendum rezultoi se 51.21 përqind e votuesve i thanë “Po ndalimit të mbulesave”. Në referendum kanë votuar rreth gjysma e personave me të drejtë vote në Zvicër. Në vendvotime dolën 51.4 përqind e personave me të drejtë vote, por edhe kjo mjafton për të qenë i vlefshëm referendumi. Ndalimi i mbulesës së fytyrës në opinion tani duhet të përfshihet edhe në kushtetutë. Krejt kjo doli si rezultat, kur nisma e një shoqate djathtiste konservatore, përmes nënshkrimeve të mjaftueshme kërkoi ndalimin e mbulesave në hapësirën publike. Bëhet fjalë për ndalimin e mbulesave fetare, si burka dhe nikabi, por edhe për ndalimin e maskimeve, si për shembull të huliganëve në ndeshjet e futbollit dhe të pjesëmarrësve në demonstrata. Por, në debatet paraprake është folur më së shumti dhe gati ekskluzivisht vetëm për fenomenin mysliman.
Propozimi i ligjit erdhi nga qarqet konservatore djathtiste afër Partisë Popullore Zvicerane (SVP), nga shoqata “Egerkinger Komitee”. Shoqatë kjo e cila nuk fshihte faktin se përpjekja kishte për qëllim heqjen e mbulesave tek myslimanët. Shoqata përmendi të drejtat e lirisë, parimet e barazisë dhe vlerat kristiane si arsye. “Islami radikal duhet të kufizohet”, tha Anian Liebrand nga SVP-ja, i cili është drejtor menaxhues i ” Egerkinger Komitee”.
Mundësia e mbulesës në publik ekziston vetëm në raste të posaçme, për shembull, për arsye të sigurisë, shëndetit ose zakoneve të tilla, si Karnavali. Këto rregulla vlejnë edhe për turistët.
Qeveria zvicerane, Kuvendi dhe të gjitha partitë e mëdha në vend, përveç SVP-së, ishin kundër projektligjit të propozuar. Ata argumentonin se mbulimi i fytyrës me nikab ose burka ishte një fenomen margjinal në Zvicër dhe se kodi i veshjes nuk është pjesë e kushtetutës. Përveç kësaj, kantonet janë ato të cilat duhet të rregullojnë këtë çështje. Përveç kësaj, me ligj konsiderohet si vepër penale detyrimi i gruas që të mbulojë fytyrën e saj.
Ndryshe, përqindja e myslimanëve në Zvicër ishte 5,3% në vitin 2018. Në mbarë vendin, sipas sondazheve nga Qendra e Lucernit për Kërkime Fetare, rreth 30 gra mbajnë mbulesa të plota islamike. Shumica prej tyre janë femrat e konvertuara, ato që me vetëdije zgjedhin ta bëjnë këtë. Burka mbulon plotësisht gratë dhe lë vetëm një dritare grilë tek sytë për të parë. Ndërsa rrobat me një të çarë tek sytë ku mund të shikohet quhen nikab.
Edhe në vende të tjera evropiane, si Franca, Danimarka, Holanda, Austria… ndalohet mbulimi i plotë ose i pjesshëm i fytyrës. Në vitin 2009 është votuar edhe e ashtuquajtura “Iniciativa e Minareve”, e inicuar nga partia SVP, për ndalimin e minareve dhe kjo është futur edhe në kushtetutën e vendit. Ky referendum asokohe pati shkaktuar debate të mëdha. Ndërsa tani, pas këtij vendimi të së dielës, do të futet në kushtetutë edhe ndalimi i mbulimit të fytyrës.
Zvicra ndalon burkën dhe nikabin!
POSTIMI PARAPRAKMadhështia e këtij viti në “Takimet Poetike të Karadakut”
POSTIMI I RADHËSShtyhet seanca gjyqësore kundër Rexhep Kamberit dhe të tjerëve!