Korçë, 08 janar 2014 – Katër persona janë vrarë mbrëmë në një fshat të Korçës, duke tronditur rëndë gjithë zonën. Autori i vrasjes, një 39-vjeçar, pretendonte dashurinë e njërës prej viktimave, së cilës i kishte kërkuar të ndahej nga burri, për tu martuar me të.
Dy çifte që kishin lidhje farefisnore me njëri-tjetrin, janë ekzekutuar nga Bashkim Latollari, fqinj i tyre, në fshatin Gjonomadh të komunës së Voskopojës. Autori i vrasjes, 30 minuta pas krimit të rëndë, është dorëzuar tek kryeplaku i fshatit, ku ka pritur ardhjen e policisë. Autori i këtij krimi pasionant, ishte i njohur për policinë, pasi edhe më parë është akuzuar për vrasje.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:05 dhe, nga hetimet e para, është mësuar se ishin vrarë katër persona në dy familje, të cilat jetonin rreth 500 metra larg njëra-tjetrës. Viktimat janë Beliman dhe Danjela (Manjola) Meçollari, respektivisht 31 dhe 30 vjeç, dhe çifti tjetër Rexhep dhe Valentina Metellari, respektivisht 59 dhe 53 vjeç, që të gjithë nga fshati Gjonomadh në rrethin e Korçës.
Mediat nga Shqipëria raportojnë se çifti i ri është vrarë para syve të dy fëmijëve të mitur dhe janë qëlluar nga jashtë shtëpisë, nëpërmjet dritares. Ndërkohë, çifti i vjetër, ku paraprakisht thuhet se Rexhepi ishte daja i Belimanit, të vrarë edhe ata brenda shtëpisë së tyre, mësohet se është qëlluar nga afër. Të katër viktimat janë transportuar në morgun e qytetit të Korçës dhe, nga ekspertiza e kryer, ka rezultuar se janë qëlluar nga e njëjta armë. Identifikimi i kryesit të veprës nuk ka qenë i vështirë, pasi e gjithë zona ishte vënë në dijeni për konfliktin mes autorit të krimit dhe viktimave. Policia e ka prangosur autorin, Bashkim Latollari, 39 vjeç, i cili është banor i të njëjtit fshat. Ai ka dorëzuar edhe armën e krimit, e cila ishte një pushkë që prej vitesh e mbante pa leje.
Motivi i vrasjes, xhelozia dhe dashuria e paligjshme!
Gjatë hetimeve paraprake, nga burime të sigurta policore, mësohet se gjithçka ka nisur nga dashuria e mohuar ndaj autorit të krimit, nga Danjela Meçollari. Para oficerit të policisë gjyqësore, autori i krimit ka rrëfyer se ka pasur një lidhje intime me 30-vjeçaren, nënë e dy fëmijëve. Për këtë arsye, ai është shprehur se i kishte kërkuar asaj që të shkurorëzohej nga i shoqi dhe të martohet me të, por ajo nuk e ka pranuar një veprim të tillë. Madje, ai është shprehur se, për të sqaruar këtë mosmarrëveshje, kishin ndërhyrë edhe Rexhep dhe Valentina Metellari, të cilët kanë kërkuar prej tij që ta linte të qetë familjen Meçollari. Për këtë ndërhyrje, mësohet se tri ditë më parë ka pasur një konflikt në fshat mes Rexhepit dhe Bashkimit, për të cilin janë vënë në dijeni të gjithë banorët e fshatit.
Nisur nga ky konflikt, mësohet se ai ka vendosur të hakmerret, por para se të kryejë këtë veprim, kishte qëndruar disa orë në një lokal të fshatit, duke konsumuar alkool. Më pas, ai ka shkuar, fillimisht në familjen Meçollari, dhe nga oborri, nëpërmjet një dritareje i ka qëlluar burrë e grua, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe dy fëmijët e tij. Më pas, ai ka shkuar me vrap, rreth 10 minuta rrugë malore, në shtëpinë e familjes Metellari. Ka hyrë brenda dhe ka qëlluar me të njëjtën armë edhe këtë çift.