Tronditet Italia – Përfundon tragjikisht ndarja e çiftit nga Kukësi!

tragjedia kuksiane italiLecco, 09 mars 2014 – Gruaja shqiptare, Edlira Dobrushi (37), që në orët e para të mëngjesit të sotëm u gjet në shkallët e apartamentit të saj, me duar të përgjakura dhe plagë në fyt dhe bark, ka pranuar se është autore e krimit mbi tre vajzat e saj. “I vrava unë, për të shmangur të ardhmen e dëshpëruar që i priste përpara”, iu tha karabinierëve 37-vjeçarja shqiptare, Edlira Dobrushi.
Në banesën e saj, mbi krevatin bashkëshortor, policia zbuloi trupat pajetë të vajzave, Sidni 3 vjeç, Kejsi 10 dhe Simona 13 vjeç, të vrara me thikë. Policia italiane konfirmoi se vrasjet janë kryer me një thikë kuzhine dhe më pas, trupat e pajetë të tre vajzave janë vendosur mbi krevatin bashkëshortor. Më pas, 37-vjeçarja shqiptare është përpjekur t’i japë fund jetës së saj, duke goditur veten dy herë, një herë në grykë dhe një herë tjetër në bark. Ashtu e gjakosur, ajo ka trokitur në derën e një fqinji duke i thënë se vajzat e saj nuk jetojnë më. Fqinjët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe ndihmën e shpejtë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pak para se nëna vrasëse të ndërrojë jetë. Ajo u shoqërua për në spitalin e qytetit, ku ka pohuar se arsyeja e krimit ishte largësia nga i shoqi dhe vështirësitë e mëdha ekonomike. Ndërkohë, babai i viktimave, i ndarë para pak kohësh nga kjo gruaja, ndodhet në Shqipëri.
Ministri i Punëve të Brendshme i Italisë, Angelino Alfano, ka reaguar menjëherë dhe, përpara se të zbulohej dinamika e ngjarjes, ka deklaruar se nuk do t’i lënë shteg vrasësit. “Italia nuk mund vetëm t’i qajë viktimat, por duhet të ndjekë e të gjejë vrasësin”, ka deklaruar Alfano
Sipas mediave italiane, babai i vogëlusheve, Bashkim Dobrushi, ishte nisur një ditë më parë për në Shqipëri. Ai u njoftua për ngjarjen e rëndë nga policia e Shqipërisë, sapo zbriti nga trageti, në portin e Durrësit. Çifti ishte ndarë formalisht në muajin shtator të vitit të kaluar, ndërsa ligjërisht kishin firmosur ndarjen në shkurt të këtij viti. Bashkim Dobrushi jetonte prej 15 vjetësh në Itali, ku punonte në një ndërmarrje metalesh. Ai iu kishte rrëfyer kolegëve se ishte ndarë nga e shoqja, për shkak të krizave të depresionit që ajo kishte shfaqur kohët e fundit. Dobrushi kishte kërkuar dy javë leje, për të vizituar nënën e tij në Kukës, të cilës do t’i shpjegonte arsyet e ndarjes nga e Edlira.

Leave a Reply