Varroset viktima e rrufesë – Kërkimet për të vëllanë e zhdukur vazhdojnë!


fshati pllajnik opojeDragash, 06 gusht 2014 – Pas obduksionit që ka kryer Mjekësia Ligjore në QKUK, pak para orës 14:00 është sjellë në fshatin e tij trupi i Agron Çengajt (37), ku edhe është varrosur rreth orës 15:00. I ndjeri pësoi një ditë më herët nga goditja e rrufesë, në vendin e quajtur “Sumllarë”, të fshatit Pllajnik të Opojës, komuna e Dragashit.
Familjarë dhe miq të shumtë morën pjesë në këtë ceremoni mortore, për ta ngushëlluar, sadopak, familjen Çengaj, e cila po ballafaqohet me një tragjedi familjare, pasi ende nuk di gjë për fatin e djalit tjetër, Enverit, i cili është larguar nga shtëpia, që nga data 30 korrik.
Menjëherë pas varrimit, njëri nga portalet e shumta anonime të Opojës, ka shkruar se është gjetur personi i zhdukur, Enver Çengaj, madje kishte raportuar se ai ishte gjetur i vdekur, afër fshatit Zhur. Kjo ka bërë që familjarët ta harrojnë zinë që kishin sot, për tu interesuar për djalin tjetër. Ata kanë shkuar në fshatin Zhur, ku nga policia e stacionuar në këtë fshat, kanë marrë vesh se nuk ka asnjë lajm për Enverin, dhe se informacionet e këtij portali kanë qenë të gabuara. “Mbase për të marrë më shumë LIKE e kanë bërë këtë marifet, ani pse bëhet fjalë për një fatkeqësi familjare”. Kështu i tha redaksisë sonë njëri nga bashkëfshatarët e viktimave, i cili ishte në kërkim të të zhdukurit në fshatin Zhur, ku nga policia ishin informuar se “nuk ka asgjë të re” në lidhje me të.