Dragash, 02 qershor 2020 – Ka disa ditë që ujërat e zeza që mblidhen tek impianti i ndërtuar kohë më parë afër fshatit Kapre, kanë vërshuar në sipërfaqe, duke ua bërë jetën të gërditshme banorëve të këtij lokaliteti në trevën e Opojës, komuna e Dragashit.
Krerët e fshatit i janë drejtuar redaksisë sonë, duke u ankuar se rastin e kanë paraqitur tek organet komunale por se deri më tani askush nuk ka ndërmarrë gjë në këtë drejtim. Madje, nga bezdia, ata po paralajmërojnë edhe masa radikale, nëse nuk zgjidhet ky problem. “Shpërthimi i kanalizimit, i cili duhej të derdhej ne impiant, ende vazhdon te derdhet nëpër pronat private, duke e rrezikuar edhe shëndetin e njerëzve që jetojnë aty afër, të mos flasim për shëndetin e bagëtive në fshatin tonë. Nëse ka institucione që merren me këtë problem, i ftojmë të marrin masa, në të kundërtën, ne jemi të detyruar t’i ndërpresim të gjitha kanalizimet që kalojnë nëpër Kapre”, është shprehur për redaksinë tonë kreu i Këshillit të fshatit Kapre, Shkodran Kryeziu.