Dragash, 26 maj 2014 – Në një tryezë të rrumbullakët që është organizuar sot nga Qendra për Integrim dhe Zhvillim në Dragash (CIDD), u tha se shoqëria jonë ka nevojë për më shumë vullnet në bashkërendimin e aktiviteteve mes institucioneve, për ta mbrojtur ambientin që na rrethon.
Duke pasqyruar aktivitetet e organizuara, në kuadër të projektit “Ambienti ynë i pastër – shëndeti ynë i plotë”, përfaqësuesit e kësaj shoqate thanë se gjendja aktuale e mjedisit nuk është aspak e mirë. Mervan Zejnullahu, drejtor ekzekutiv i CIDD-së pasqyroi të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar nga kjo OJQ, siç janë fushata e vetëdijesimit në Dragash, pastrimi i lumit të fshatit Blaç, pastrimi i rrugës, Brezne – Dragash, etj. Ai tha se grupi i punës, në kuadër të OJQ-së CIDD, ka përgatitur disa rekomandime për të vepruar më mirë në të ardhmen që ambienti të mbrohet dhe qytetarët të jetojnë në mjedis të pastër.
Në ketë tryezë, ku morën pjesë përfaqësues nga mekanizmat relevante të Komunës, shoqërisë civile, Bashkësisë Islame dhe nga komuniteti i biznesit, u ra dakord që duhet të ndërmerret një fushatë intensive për vetëdijesimin e banorëve, në çdo fshat të komunës së Dragashit, si dhe të promovohen vlerat që ka natyra në jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Një rekomandim tjetër nga kjo OJQ ishte edhe kërkesa për më shumë përkrahje institucionale, që më 24 maj, në Ditën e pastrimit të Kosovën, të organizohen aktivitete për pastrimin e të gjitha ambienteve publike. Kërkesë e veçantë iu drejtua zyrtarëve të Komunës së Dragashit dhe ndërmarrjes “Eko-Regjioni”, e cila merret me menaxhimin e mbeturinave. “Në shumicën e fshatrave të komunës së Dragashit, ka mbeturina dhe plehra, të hedhura shumë afër vendeve që frekuentohen nga fëmijët, siç janë shkollat. Ne kërkojmë nga mekanizmat përkatëse, kompetent për pastrimin e ambientit, që të marrin masa emergjente për t’i pastruar këto hapësira publike, ku seriozisht po rrezikohet shëndeti i njerëzve. Gjithashtu, kërkojmë më shumë bashkëpunim ndërmjet Komunës, Shoqërisë Civile dhe komunitetit, lidhur me ketë çështje”, tha Zejnullahu.
Një ndër konkluzionet e CIDD-së, ishte nevoja e hartimit the miratimit të një rregulloreje nga Kuvendi i Komunës së Dragashit, përmes së cilës do të menaxhoheshin zyrtarisht mbeturinat. Rekomandimet e OJQ-së CIDD hasën në mbështetje nga shumica e të pranishmëve, nga të cilët u kërkua që të shenjëzohen sa më qartë ndalesat për hedhjen e mbeturinave, në vendet më të frekuentuara nga njerëzit, në mënyrë që të sensibilizohet komuniteti për të qenë sa më miqësor me ambientin ku jeton.
Në fund të kësaj tryeze, të gjithë mekanizmat pjesëmarrës u pajtuan që të vazhdohet me aktivitete të ngjashme, përderisa nuk arrihet qëllimi i përbashkët për mbrojtjen e ambientit.