Prizren, 25 dhjetor 2014 – Të martën ishte planifikuar vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor, në rastin e shpërdorimit të detyrës zyrtare, ku të akuzuar janë kryetari i Komunës së Dragashit – Salim Jenuzi dhe Lulzim Rifaj, ish-kryesues i Kuvendit të Komunës së Dragashit, aktualisht konsull në ambasadën tonë në Sofje të Bullgarisë. Mirëpo, në gjykatë nuk ishte i pranishëm i akuzuari i parë, Salim Jenuzi.
Ndonëse ishte ftuar me kohë, ai nuk e kishte paralajmëruar gjykatën për mungesën e tij.
Mbrojtësi i tij, avokati Ruzhdi Berisha, sqaroi arsyet e mosardhjes së Jenuzit. Sipas tij, kryetari i Dragashit ndodhej zyrtarisht në Shqipëri. “Salim Jenuzi gjendet në Shqipëri, qe dy ditë, në udhëtim zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Dragashit. Si rezultat i kësaj, ai nuk ka mundur të jetë sot prezent”, tha avokati Berisha, raporton portali KALLXO.
Në mungesë të plotësimit të kushteve për gjykim, seanca gjyqësore u shty, gjë e cila nuk i pëlqeu fare të akuzuarit të dytë, Lulzim Rifajt. Ai shprehu revoltën e tij, për këtë zvarritje, duke thënë se për çdo seancë po i krijohen shpenzime. “Për çdo ftesë, unë i jam përgjigjur gjykatës. Edhe sot, nga Bullgaria kam ardhë dhe kam bërë shpenzime. Kjo nuk është e drejtë sepse po zvarritet rasti në pafundësi”, tha Rifaj.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren i ngarkon Jenuzin dhe Rifajn, se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Prokuroria akuzon Jenuzin se, në cilësi të kryetarit të Komunës së Dragashit, ka urdhëruar drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që ta bartë pronën shoqërore, në sipërfaqen prej 29,7 hektarësh, prej ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” në pronësi të Komunës të Dragashit. Më pas, këtë pronë Jenuzi ua dha në shfrytëzim blegtorëve, pa ndonjë bazë juridike. Ndërkaq, Rifaj akuzohet se, si kryesues i Kuvendit të Komunës së Dragashit, vuri në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke i bindur asamblistët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore, me ligj i përket AKP-së. Sipas Ligjit për AKP-në, përcaktohet kjo agjenci si administratore e ndërmarrjeve publike, pavarësisht nëse ndërmarrjet i janë nënshtruar ose jo transformimit. Seanca e radhës është përcaktuar për 16 janar 2015.
Salim Jenuzi mungoi në gjykim – Lulzim Rifaj kundërshton zvarritjen!
POSTIMI PARAPRAKNë Suedi digjet qëllimisht një xhami!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.