RTS komenton, por nuk tregon se ku ishte policia (Video)


flamuri etnik shqiptarBeograd, 15 tetor 2014 – Se çka ndodhi në të vërtetë në stadiumin e Partizanit, në Beograd, në ndeshjen midis kombëtares shqiptare dhe asaj serbe, publiku ka mundur ta marrë vesh vetëm pas pak kohesh nga mediat botërore, pasi televisioni publik serb (RTS) duket se nuk i ka dhënë pamjet reale. Në vend të kësaj, RTS po merret me gjykimin e ngjarjes, duke i fajësuar shqiptarët për ndërprerjen e ndeshjes. “Mini-helikopteri, me flamurin ku ishte harta e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe, u paraqit mbi stadiumin e Partizanit, në minutën 41 të ndeshjes midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pas kësaj, erdhi deri tek përleshja në terren dhe ndeshja u ndërpre”, komenton RTS në videon që ka lansuar në faqen e vet në Youtube. Dhe, jo vetëm RTS por asnjë medium tjetër serb nuk e ka parashtruar pyetjen, se ku ishte gjithë ajo polici që u proklamua, para se të fillonte ndeshja. Paraditen e së martës, ishte RTS që raportoi se për sigurimin e kësaj ndeshje do të angazhohen 7 mijë policë, prej tyre 4 mijë do të jenë në stadium dhe përreth tij, ndërsa 3 mijë të tjerë do të kontrollojnë qytetin e Beogradit.
Në videon që ju prezantojmë, duket se ndeshja është ndërprerë, pasi tifozët serb kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjesende të tjera. Më vonë u duk fluturakja që po e sillte flamurin në fushë. Gjithashtu, në video nuk duket asnjë polic të jetë futur në fushë, për ta penguar përleshjen. Përkundrazi, disa media kanë raportuar se ajo edhe vetë i ka rrahur lojtarët shqiptarë, brenda në zhveshtore.
Mediat serbe nuk kanë përmendur as përfaqësuesin e kombëtares së tyre, Aleksandar Kolarov,  i cili bëri një gjest tejet të madh njerëzor, duke e mbrojtur Taulant Xhakën, derisa ky i fundit u fut në tunelin e stadiumit. Në realitet, anëtari i Manchester City, Kolarov, ishte i vetmi që u mundua ta përmirësojë, atë që e prishën tifozët serbë.

Për Video, kliko KËTU!