Rritet eksporti i metaleve, por jo edhe vlera monetare!

metal eksport vleraPrishtinë, 22 nëntor 2013 – Kosova edhe këtë vit ka vazhduar të eksportojë metale, ka njoftuar zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, në një prononcim për “Epokën e re”. Sipas tij, gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti është rritur eksporti i produkteve të metalit, vlera e të cilave kap shifrën prej 124 milionë euro, ose 24 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. “Vlera e eksporteve të metaleve, gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, kap shifrën 124 milionë euro. Ndërsa, gjatë vitit 2012, vlera e eksporteve të metaleve për të njëjtën periudhë, ishte 100 milionë euro. Në total, gjatë vitit 2012, kjo vlerë arriti shifrën e 127.8 milionë eurove”, ka deklaruar Stavileci, duke shtuar se eksporti i metaleve në Shqipëri kap vlerën prej 56 milionë eurosh, në Maqedoni 200 milionë dhe në Turqi 11 milionë euro. Por, zyrtari për Informim në “Ferronikel”, Shpëtim Ukaj, ka deklaruar se deri më tani kanë eksportuar rreth 6 mijë e 600 tonë metal dhe se, deri në fund të vitit, pritet rritje e eksportit krahasuar me vitin e kaluar. “Eksporti është rritur me 9.5 për qind, në aspektin e vëllimit, por në aspektin e vlerës është më pak, krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të rënies së çmimit të nikelit. Rënia e çmimit të nikelit paraqet problem dhe sfidë për ne”, ka thënë Ukaj.
Kryetari i Shoqatës së Metalopërpunuesve, Gani Kastrati, ka thënë se problem të madh për zhvillimin e kësaj veprimtarie po paraqet mungesa e politikave favorizuese fiskale, si dhe mungesa e kuadrit profesional, sidomos mungesa e shkollave profesionale për të ushtruar këtë veprimtari. “Mungesa e kuadrit profesional dhe shkollave profesionale, paraqet një problem shumë të madh për ne, pasi nuk kemi punëtorë të kualifikuar për metalopërpunim. Edhe po të dërgohen në trajnime, për 5 apo 6 muaj, prapë nuk mjafton kjo për ta përvetësuar këtë profesion”, ka thënë Kastrati, duke shtuar se numri i ndërmarrjeve që janë marrë me këtë veprimtari, është në rënie e sipër.
“Në kuadër të Shoqatës së Metalopërpunuesve janë 60 ndërmarrje. Numri i ndërmarrjeve që janë marrë me këtë veprimtari ka rënë shumë, për arsye të moszhvillimit të kësaj veprimtarie. Ndërmarrjet e vogla tashmë janë mbyllur”, ka thënë Kastrati.

KËRKO FJALËT

Leave a Reply