Prishtinë, 24 janar 2015 – Tre policë dhe një qytetar kanë përfunduar në QKUK, pas protestës së sotme, e cila eskaloi në dhunë. Më së keqi e ka pësuar pronari i një lokali hotelier, në sheshin “Ibrahim Rugova”, teksa po tentonte ta mbronte inventarin e vet, kur disa protestues ia mësynë atij. Ndërkohë, kryeministri Mustafa ndodhej në Pejë, në kremtimin e 25 vjetorit të themelimit të degës së partisë së tij (LDK). Nga atje, ai ka thënë se e përkrah të drejtën për protestë, por jo edhe eskalimin e saj në dhunë. “Ne do t’i dëgjojmë kërkesat e popullatës për të përmirësuar gjendjen në vend. Unë kam besim të plotë tek kabineti qeveritar. Jabllanoviqi nuk është problemi më i madh i joni”, ka thënë mes tjerash Mustafa.
Në deklaratat e policisë thuhet se organizatorët nuk i parandaluan ata që filluan të hedhin gurë në ndërtesën e qeverisë, por as nuk i kanë ftuar protestuesit që ta përfundojnë protestën, në kohën kur ishte paraparë të përfundonte. Protesta ishte thirrur nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe organizata “Thirrjet e Nënave”, por ajo u përkrah edhe nga partitë opozitare, si dhe nga organizata të ndryshme.
Bilanci i gjithë kësaj proteste, sipas raportit të policisë, është 19 policë dhe 4 qytetarë të lënduar. Ndërkohë, është paralajmëruar se edhe të martën do të protestohet, në rast se deri atëherë kryeministri Mustafa nuk e shkarkon ministrin Jabllanoviq. E ky i fundit ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje dhe se i vjen keq që edhe pas kërkimit të faljes, nuk ka ndryshuar asgjë.
Protesta e sotme eskaloi në dhunë!
POSTIMI I RADHËSKallaballëku që risjell kujtime të hidhura!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.