Dragash, 13 nëntor 2019 – Policia rajonale në Prizren ka raportuar sot për aksidentin e mbrëmshëm në afërsi të Dragashit, duke potencuar se, përveç dëmeve materiale dhe lëndimeve të lehta, nuk ka pasur pasoja për jetën e drejtuesve të dy automjeteve që janë përfshirë në këtë aksident, në afërsi të benzinales “Qendra Petrol”, tek Livadhi i Cucës, në fshatin Plavë të Dragashit. “Ka ndodhur aksident trafiku në mes një automjeti udhëtarësh dhe një furgoni. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar të dy vozitësit, njëra femër dhe tjetri mashkull. Vozitësja është ndalur për tretman mjekësor në spital ndërsa vozitësi është liruar. Me vendim të prokurorit, rasti është përcjellë në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e sotëm të policisë.
Vlen të theksohet se në këtë aks rrugor, në afërsi të udhëkryqit të fshatit Rapçë, kohët e fundit janë shpeshtuar aksidentet, shumica prej të cilave vetëaksidente, ku automjetet rrëshqasin nga rruga. Kjo ka bërë që të kërkohet nga institucionet përkatëse që t’i bëjnë një studim këtij aksi dhe, në mos gjë tjetër, të vendosen shenjat paralajmëruese që tregojnë rrezikshmërinë që paraqet kjo pjesë e magjistrales, Dragash – Plavë.
Policia jep detaje për aksidentin e mbrëmshëm në Dragash
POSTIMI PARAPRAKUNDP-ja e bën më tërheqëse komunën e Dragashit
POSTIMI I RADHËSE dua vendin tim nënë, por më duhet të largohem!