Prishtinë, 06 janar 2022 – Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm të Prokurorisë së Ferizajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nën dyshimet për dallavere me ndërtime në Brezovicë. Dy prej të arrestuarve janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Ferizajt, përmes një komunikate drejtuar mediave, ku thuhet se të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti. “Deri me tani janë arrestuar shtatë persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, ka njoftuar Prokuroria, duke shtuar se aksioni është duke vazhduar.
Njëri nga të arrestuarit në këtë rast është edhe kryeinspektori, Bedri Halimi.