Një pasdite kulturo-letrare, me poeten Ardita Lokaj


libri ardita lokajKopër, 04 korrik 2014 – Shoqata kulturo-artistike “ILIRIA” nga Kopri i Sllovenisë, organizoi orë kulturo-letrare, me rastin e promovimit të librit “Nënës sime”, të autores, Ardita Lokaj. Të pranishëm në këtë pasdite të këndshme poetike ishin një numër i madh i qytetareve të Koprit dhe më gjerë, si dhe figura të njohura intelektuale nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, etj.
Ganimete Shala, kryetare e shoqatës në këtë qytet të bukur slloven, duke i përshëndetur të pranishmit në sallën, ndër më të bukurat që ka qyteti i Koprit, mori njëkohësisht edhe rolin e moderatores, e shoqëruar edhe nga Heset Ahmeti. Për poezitë dhe publicistiken e autores së librit, një fjalim përmbajtjesor mbajti redaktorja e krijimeve në gjuhën shqipe, Migena Arllati, si dhe përkthyesja e krijimeve nga gjuha kroate në atë shqipe, Ermina Prljaskaj.
Libri “Nënës sime” u botua në shqip dhe kroatisht, siç edhe u promovua në këtë mbrëmje madhështore, ku pas çdo analize dhe përgëzimi, lexoheshin poezi nga brendia e këtij libri, nga studentet e Universitetit të Koprit dhe atij të Zagrebit, Valentina Ahmeti, Natyra Ahmeti, Genta Fana, etj.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Pëllumb Qazimi, i cili premtoi se do të jetë i pranishëm, kudo që do të ftohet nga mërgata shqiptare, si dhe u zotua se do të ofrojë mbështetje maksimale për të tilla manifestime.
Në këtë eveniment nuk munguan poetja dhe humanistja shqiptare, Vitore Stefa Leka, pastaj luftëtarja e orëve të para të luftës së UÇK-së, sot gazetare dhe poete, Leonora Buçinca, si dhe kryetarja e tri shoqatave, avokatja nga qyteti i Trevizos në Itali, Ermira Zhuri. Të pranishëm ishin edhe këngëtarja dhe artistja, Ludmilla Baballëku, veprimtari Mexhid Hoxhaj, si dhe artistët nga teatri “Mërgimtari” nga Zagrebi, Leonard Hamitaj, Melita Oreshkoviq, Giulian Hamitaj dhe Genta Fana.
Në fund, autorja e librit, Ardita Lokaj, përshëndeti dhe falënderojë organizatorët dhe pjesëmarrësit, me poezinë “Forca e Fjalës” nga libri që u promovua në këtë mbrëmje.
Pas realizimit të suksesshëm të kësaj pasdite artistiko–letrare, mbrëmja vazhdoi në një ambient miqësor, ku u shtrua një darkë solemne për mysafirët e sponsorizuar nga Shoqata “ILIRIA” nga Kopri i Sllovenisë. Darka u hijeshua nga zëri i bukur i këngëtares beratase, Ludmilla Baballëku.