Nis fushata zgjedhore – LDK dhe AAK deklarohen për pesë ditë fushatë!

Nis fushata zgjedhore – LDK dhe AAK deklarohen për pesë ditë fushatë!

Prishtinë, 16 shtator 2021 – Sot ka nisur zyrtarisht periudha e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku me kalendarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) fushata përfundon më 15 tetor. Përkundër pandemisë, fushata është paraparë të zgjasë 30 ditë, pasi kohë më parë KQZ-ja certifikoi listën përfundimtare të votuesve.
Më 17 tetor, të drejtë vote do të kenë 1 milion e 885 mijë qytetarë, prej tyre 24 mijë votues do të jenë të rinj, për dallim nga zgjedhjet e fundit të parakohshme. Gjithashtu, në listën zyrtare të votuesve janë përfshirë edhe 90 mijë votues që në zgjedhjet e fundit votuan jashtë vendit.
Megjithëkëtë, për shkak të situatës me pandeminë, disa nga partitë politike janë shprehur për shkurtimin e periudhës së fushatës. Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ditë më parë u kishte dërguar një letër kryetarëve të partive parlamentare, ku kishte propozuar që fushata të reduktohet në 10 ditë, ndërkaq dy ditë më parë tha se fushata e LDK-së do të zhvillohet vetëm pesë ditë. Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kishte thënë se fushata zgjedhore duhet të shkurtohet edhe më shumë, vetëm në pesë ditë.
Megjithatë, Vetëvendosje dhe PDK, ndonëse në parim janë shprehur për shkurtimin e fushatës, nuk kanë njoftuar zyrtarisht nëse do të zhvillojnë fushatë për 30 ditë apo do ta shkurtojnë atë, për shkak të situatës me pandeminë.


 

KËRKO FJALËT