Naim Maloku shpreson të faktorizohet përmes AKR-së

naim maloku akrPrishtinë, 23 prill 2014 – Ish-nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku, ka zgjedhur AKR-në për ta vazhduar karrierën e tij politike. Siç raporton gazeta “Epoka e re”, Maloku ka thënë se në këtë subjekt ka parë frymën e bashkëpunimit. “Shkuarja ime në AKR, ka qenë spontane. Nuk ka qenë një aderim ad-hoc, brenda dy-tri ditëve apo një jave. Në AKR kam parë një frymë bashkëpunuese, sepse AKR-ja, prej se është në skenën politike, ka treguar frymë të bashkëpunimit duke mos pasur armiqësi dhe averzion me asnjë subjekt politik. Pra, AKR-ja është në garë me program”, ka thënë Maloku, duke shtuar se angazhimi, puna dhe performanca e mirë e kësaj partie në Qeveri, e ka shtyrë që t’i bashkohet Begjet Pacollit. “Duke parë performancën e mirë të ministrave të Qeverisë nga radhët e kësaj partie, duke pasur parasysh faktin se kjo parti është liberale dhe duke parë që vizioni i AKR-së e ka në fokus zhvillimin ekonomik, si dhe duke e parë që mund të kontribuojë më shumë duke qenë brenda këtij subjekti politik, kam vendosur që t’i bashkohem radhëve të Aleancës Kosova e Re”, ka thënë Maloku, duke mohuar se këtë veprim e ka bërë, në shkëmbim të ndonjë pozite partiake. “Sa iu përket pozitave, në parti nuk kemi diskuar për një gjë të tillë. Unë nuk kam shkuar në AKR për pozitë. Se si do të ndodhë brenda partisë në të ardhmen, nuk e di. Ndoshta, gjatë rrugëtimit, strukturat e partisë mund edhe të më zgjedhin në ndonjë pozitë partiake. Kur të ndahen pozitat dhe, në qoftë se brenda partisë nuk ka ndonjë njeri më kompetent për ndonjë pozitë të caktuar dhe, nëse partia mendon se unë mund të jem aty, atëherë do të mendojmë. Mirëpo, aktualisht nuk e kam menduar këtë çështje”, ka thënë Maloku.
Megjithatë, ish-nënkryetari i AAK-së sqaron se, gjatë mandatit të ardhshëm, synon të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës si dhe ta udhëheqë Komisionin për Siguri. “Ende nuk kemi biseduar, as për çështjen e listës së kandidatëve për deputetë. Por, synoj që në mandatin e ardhshëm të bëhem deputet, ndoshta edhe ta udhëheq njërin prej komisioneve parlamentare që i mbikëqyr sektorët e sigurisë. Ky do të ishte synimi im”, është shprehur Maloku, i bindur se AKR-ja, pas zgjedhjeve parlamentare, do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe e Qeverisë. Sipas tij, puna dhe angazhimi i gjertanishëm i kësaj partie do të shpërblehet në këto zgjedhje, siç është shpërblyer në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. “Jam shumë i bindur se, edhe në mandatin e ardhshëm, AKR-ja do të jetë pjesë e Kuvendit dhe e Qeverisë. Prandaj, sikur të mos besoj në fitoren e AKR-së, nuk do të rreshtohesha në radhët e saj. Besoj shumë se puna dhe angazhimi i AKR-së do të vlerësohen dhe do të shpërblehet nga qytetarët”, ka thënë Maloku.

Leave a Reply