Myket Shkolla e Blaçit – Nxënësit nuk lejohen brenda (Video)

shkolla fillore blacDragash, 01 shkurt 2015 – Drejtori i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Ilmi Bahtiari” në fshatin Blaç të Dragashit, Naser Meleqi, nuk po i lejon nxënësit që t’i ndjekin mësimet në objektin e sapo rinovuar, me arsyetimin se shkolla është mykur. “Nuk ka kushte. Renovimi është bërë por jo sipas projektit. Nuk është përfunduar ashtu siç ka qenë në projekt dhe kam qenë i detyruar që të pres kryerjen e punimeve, pastaj t’i sjellim nxënësit”, ka thënë Meleqi për portalin KALLXO, duke shtuar se, edhe pse ka pasur kërkesë që nxënësit t’i vijojnë mësimin në shkollën e rinovuar, ai nuk ka dashur të rrezikojë shëndetin e tyre. “Ka pasur kërkesë por nuk kam pranuar sepse shkolla ka qenë komplet me myk. Është dashur të bëhet njëherë një kontroll sanitar, para se të futen nxënësit këtu. Të shikohet se a ka kushte dhe a rrezikohet shëndeti i nxënëseve. Pasi që Komuna nuk ka intervenuar, nuk ka intervenuar as Ministria e Arsimit, unë kamë vendosur që të mos kthehen nxënësit, derisa të mos bëhet gëlqerosja”, ka thënë Meleqi.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, nuk është pajtuar me atë që ka thënë drejtori, Naser Meleqi. “Kujtoj që punimet janë të kryera mirë, bile shumë mirë. Dyshemeja është kryer por nuk janë vendosur anësoret rreth murit. Ju i keni parë, nëse e keni vizituar shkollën. Pas gëlqerosjes do të vendosen edhe ato anësore dhe puna kryhet”, ka thënë Jenuzi për KALLXO, duke mos e pranuar vendimin e drejtorit, për t’mos i lejuar nxënësit që të kthehen në shkollë.

• Shiko VIDEO

Leave a Reply