Llafe e muhabete rreth Arsimit në Dragash – Kuvendi nuk nxori rekomandime!


kuvendi dragash seanca10Dragash, 31 tetor 2014 – Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit, në seancën e së enjtes adresuan një varg kritikash në adresë të drejtorit të Drejtorisë së Arsimit, Hajri Ramadani, si dhe në adresë të pushtetit lokal në përgjithësi.
Këshilltari nga Bashkimi Demokratik (BD), Nexhat Isufi, tha se shkas i kërkesës për të debatuar rreth gjendjes së arsimit janë ankesat e shumta të qytetarëve dhe prindërve. “Mjaft qytetarë dhe prindër kanë shprehur pakënaqësi për gjendjen në arsimin e mesëm dhe fillor. Kam dëgjuar se në gjimnazin e Dragashit ka edhe ngacmime seksuale. Aty punojnë profesorë me diploma falso. Sa i përketë shkollës së Blaçit, është dashur që punimet t’i bënit gjatë kohës së pushimeve dhe jo tani, ku keni shkaktuar rrëmujë në këtë shkollë. Pastaj, edhe tenderin për punimet në këtë shkollë ia keni dhënë një firme që ishte dukshëm më e shtrenjtë në ofertën e tij. Prandaj keni ankesa nga firmat që i keni refuzuar.”, tha mes tjerash Isufi, duke kërkuar nga gazetarët që ta ngrejnë këtë çështje, për tu marrë më pas edhe prokuroria.
Kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, duke reaguar pas akuzava të Isufit, kërkoi që këshilltarët mos të merren me shpifje, pasi kjo seancë transmetohet në Radio SHARRI dhe nuk është mirë të etiketohen njerëzit me emra, për të cilët mund të ketë edhe shpifje. “Ju lutem për më shumë kujdes kur flisni me emra, nëse nuk keni fakte. Ju këshilloj që akuza të këtilla, nëse keni fakte, t’i adresoni në gjykatë, por jo të bëni këtu thashetheme”, tha Jenuzi.
Zaim Hajredini nga AKR-ja i mohoi akuzat e shumta që u drejtuan nga opozita rreth gjendjes në shkollën “Hilmi Bahtiari” në Blaç. Ai tha se është vetë mësimdhënës në këtë shkollë dhe e di që nuk është gjendja ashtu siç e paraqitën disa delegatë. Hajredini u cilësua si mbrojtës i pushtetit lokal, sidomos kur kërkoi që politika të largohet nga Arsimi, ndonëse vetë është kryetar i degës së AKR-së, nërkohë që është edhe punëtor në arsim. Deklaratat e tij i mohoi këshilltari i LDK-së, Halim Shemsidini, duke potencuar se, megjithatë, në shkollën ku punon Hajredini nuk është gjendja e mirë. Edhe Samidin Xheladini (LDK) tha se vërejtjet më të shumta nga qytetarët janë rreth konkursit për pranimin e mësimdhënësve, për të ciliët tha se janë pranuar, vetëm për t’i kënaqur bashkëpartiakët e partisë në pushtet. “Na u thaftë goja, nëse po shpifim gjë. Por, gjendja vërtetë nuk është mirë”, tha Xheladini.
Në këtë diskutim për arsimin, nuk u la pa u përmendur edhe çështja e arsimit paralel që vazhdon të financohet nga Serbia në trevën e Gorës. Këshilltari nga radhët e PDK-së, Granit Rifaj, kërkoi sqarim për këtë dukuri, e cila nuk po pengohet fare, edhe pse po shkelen ligjet e Kosovës.
Megjithatë, i gjithë diskutimi rezultoi të ishte vetëm si “muhabet”, pasi nuk u dhanë kurrfarë sqarimesh nga kompetentet e Arsimit dhe as që u nxor ndonjë konkuzion apo qëndrim obligativ.