Lajm i mirë për fermerët pllajnikas – Toka nuk do jetë kriter për subvencione!

Lajm i mirë për fermerët pllajnikas – Toka nuk do jetë kriter për subvencione!

Dragash, 04 prill 2022 – Fermerët nga fshati Pllajnik, në komunën e Dragashit, në të ardhmen mund të mos diskriminohen për arsye të problemeve kadastrale rreth pronësisë së tokave punuese. Kjo, falë angazhimit të zyrtarëve të Komunës së Dragashit, të cilët kanë kërkuar nga qeveria që fermerët e këtij fshati të mos pësojnë për fajin e tjetërkujt.
Në një qarkore komunikimi mes zyrtarëve të Komunës dhe qeverisë, të cilën e ka parë redaksia jonë, shihet angazhimi maksimal i Komunës që këtyre fermerëve t’iu gjendet një zgjidhje sa më parë, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga subvencionet.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës së Dragashit, kryesuesi, Uran Halimi, i ka kritikuar anëtarët e kuvendit se po bëjnë politikë, ndërkohë që fermerët e Pllajnikut dhe banorët në përgjithësi po ballafaqohen me mungesën e pronësisë për tokat e tyre. “Ju mund të kërkoni investime minore për Pllajnikun, ndërkohë që asnjëherë nuk po e vrisni mendjen se ky fshat nuk figuron askund në kadastër”, iu tha mes tjerash Halimi anëtarëve të kuvendit.
Por, në letërkëmbimin mes Komunës dhe qeverisë, duket se është interesuar pushteti lokal për ta zgjidhur këtë problem. Nga dikasteri përkatës ishte kërkuar zgjidhja për këtë problem dhe, në përgjigjen që kanë marrë zyrtarët e komunës, duket se fermerët e Pllajnikut nuk do ta kenë kriter pronësinë e tokave të tyre për të aplikuar për subvencione.
Gjithçka mbetet për t’u parë nëse Komuna do t’ia dalë në këtë angazhim, derisa të mos merret një vendim zyrtar. Por, gjasat janë që pllajnikasit të mos kenë më probleme në këtë aspekt. Të premten, në emisionin tonë “Aktualitete”, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Qamil Kolloni, bëri me dije se janë në pritje të një vendimi pozitiv. “Nuk ka dilemë se këtë problem e kemi zgjidhur dhe këtë vit pllajnikasit nuk do të diskriminohen për subvencione”, u shpreh i bindur Kolloni.
Kujtojmë se fshati Pllajnik nuk figuron në kadastër për shumë kohë dhe kjo i kishte diskriminuar fermerët që të përfitojnë grante, pasi nuk kishin mundësi të vërtetonin pronësinë e tokave, kriter ky bazë për aplikim.