Dragash, 07 mars 2022 – Me rastin e 7-Marsit, Ditës së Mësuesit, kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Selim Kryeziu, kanë vizituar sot shkollat, duke iu uruar mësimdhënësve Ditën e tyre, me dëshirat për një të ardhme më të mirë.
Përveç urimeve, kryetari Xheladini u zotua para mësimdhënësve se qeveria lokale do të ketë kujdes të veçantë dhe se arsimi do të trajtohet me prioritet. “Arsimi është baza e shoqërisë. Nga këtu fillon gjithçka. Nuk ka shtet, nuk ka as komb pa arsim e dije. As vet njerëzimi nuk mund të ekzistojë pa arsim e dije dhe, vendi i vetëm ku mund të pajisemi me këtë armë, është shkolla”, tha Xheladini.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit, Selim Kryeziu, i ka uruar mësimdhënësit për këtë ditë të rëndësishme, siç tha, për të gjithë ne, pasi edhe ai ishte profesor deri në zgjedhjen e tij në krye të dikasterit të Arsimit. “Po ju flas si mësimdhënës, më shumë se sa si drejtor, meqenëse njëzet e dy vjet e kam bërë këtë punë të shenjt. Jam vetëm dy muaj drejtor, periudhë kjo e shkëputjes sime nga mësimdhënja. Prandaj, ju lus që të kujdeseni për fëmijët, për nxënësit. T’i doni ata. Ata kanë intuitë të çuditshme. Ata e ndjejnë kur ju i doni dhe pastaj jua kthejnë dyfish dashurinë. Edhe afirmitetin ndaj lëndës mësimore e krijojnë, në bazë të afirmitet ndaj mësuesit”, iu tha Kryeziu mësimdhënësve. Këta të fundit u shprehen falenderues për këtë vizitë, duke kërkuar më shumë vizita të tilla.