Nga: Fari KOLLONI
• Një shifër jo e zakonshme e ‘kockave’ kanë ardhur së fundi vetëm në fshatin Kosavë, për t’iu gjetur vend nëpër skutat e fshatit, sepse rrugët kryesore tashmë janë mbushur të gjitha. Natyrisht, mangët me ‘kocka’ nuk mbeten edhe fshatrat tjera, sepse qeveria lokale ka me bollëk. Të tjera gjëra i mungojnë asaj, fatkeqësisht. I mungojnë idetë. ‘Kocka’ janë kubëzat për ne në Opojë. Kocka janë eshtrat në shqipen standarde. Ironikisht, ‘kockat’ – domethënë kubëzat – dhe kockat – domethënë eshtrat, skeleti – janë të vetmet gjëra që i kanë mbetur këtij pushteti. Ky pushtet është bërë ‘kockë e lëkurë’. I ka ardhur fundi dhe po përpiqet të mbesë gjallë vetëm me ‘kocka’.
Një qeverisje e mirë dhe efikase kryesisht ndërtohet përmes zbatimit të ideve përparimtare politike, ekonomike dhe sociale të atyre që qeverisin. E kundërta ndodh kur ata që qeverisin dhe idetë politike, ekonomike e sociale janë me vite-dritë larg njëri-tjetrit. E kundërta ndodh kur, në mungesë të ideve dhe kulturës politike, njerëzore e qytetare, ata që qeverisin shndërrohen në manipulues tenderësh e konkursesh, keqmenaxhues dhe keqshpenzues të parasë publike.
Pushtetarët tanë s’e kanë idenë se ku t’i çojnë edhe ato pak para që u bie ndër mend t’ua kthejnë taksapaguesve në formë investimi. Edhe ato pak para që nuk i kthejnë në suficit. Edhe ato pak para që nuk i keqpërdorin. Edhe ato pak para që arrijnë të marrin nga donacionet e ndryshme. Prandaj, ka të ngjarë që shumë shpejt edhe oborret e shtëpive do të na vërshohen nga ‘kockat’.
Qeveria e ‘kockave’ ka disa vite që ka ngritur në periferi të Dragashit një objekt për shkollë. Ai objekt kurrë nuk u bë shkollë, por mbeti ashtu, vetëm një ngrehinë ‘kockash’ e tullash, për t’u shërbyer pushtetarëve si mjet politik për zhvatjen e votave të qytetarëve. Për ta ndërtuar atë ngrehinë të duhen tullat. Për ta kthyer atë në shkollë të duhen idetë. E, si mund të kenë ide mbi shkollën e arsimin një kryetar ‘kockash’ dhe një drejtor i padijshëm Arsimi, kur iu shkon i gjithë mandati duke u zvarritur nëpër gjykata?! Si mund të ndërtojmë shkolla kur fusim analfabetët klasikë si mësimdhënës dhe punonjës të bibliotekave?! Kryetari Salim Jonuzi, kryetari i ‘kockave’, të ngjan me gjeneralin e ushtrisë së vdekur të Kadaresë. Përshtypja ime është se, ashtu sikur gjeneralit italian që nuk i kishte ecur puna me kockat e ushtarëve të vdekur, ashtu edhe kryetarit tonë do t’i dështojë ‘misioni’ i tij me ‘kockat’ e kësaj qeverie të vdekur. ‘Misioni’ me thonjëza, pra, sepse qëllimi i vetëm i kryetarit të ‘kockave’ dhe ‘ushtarëve’ të tij të vdekur është vazhdimi me çdo kusht i mandatit dhe qëndrimi në pushtet deri sa të kenë frymë. Vazhdimi i mandatit me ‘kocka’ pa fund, për t’i mbuluar kanalizimet që po u derdhën rrugëve e livadheve.
Edhe njerëzit më të paaftë dhe të padijshëm, për gjithë këto vite në pushtet do të kishin mësuar të bënin diçka të hairit. Por këta nuk mësuan asgjë. Këta vazhdojnë të na trajtojnë si qenë, duke na hedhur vetëm ‘kocka’ që të na marrin votat. Dhe pastaj të vazhdojnë avazin e tyre të vjetër, të cilin e dinë më së miri. Të manipulojnë me konkurse e tendera, të rehatojnë analfabetë nëpër institucione dhe t’i mashtrojnë qytetarët.
(Autori është nga fshati Kosavë, komuna e Dragashit. Student i Filozofisë në universitetin “Hasan Prishtina”. Qëndrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull, nuk i paraqesin domosdo edhe qëndrimet e redaksisë sonë. E gjithë përgjegjësia e shprehjeve, bie mbi autorin e këtij opinioni)