Dragash, 27 shtator 2022 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, përmes një postimi në Facebook, i ka kërkuar publikisht kryeministrit Kurti që sa më parë t’i hap shkollat dhe mos të vazhdojë polemikat me sindikatat. “Zoti kryeministër, hapja e shkollave është në dorën tuaj. Deklarata juaj e fundit për sindikalistët se zgjidhja mund të jetë larg, më frikësoi shumë, andaj më nxiti t’ju drejtohem me një lutje si kryetar i Komunës. Zoti kryeministër, kush është fajtor dhe kush kënd po e ndihmon, populli e di. Ju jeni i zoti i shtëpisë dhe ju jeni i të gjithëve dhe të gjithë janë tuajt; edhe ata që janë me ty edhe ata që mund të kenë mendim dhe veprim ndryshe. Zgjidhja është suksesi juaj por dhe përgjegjësia është e juaja. Ju e dini se sindikata nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për fillimin apo mos fillimin e mësimit. I nderuar kryeministër, në shtëpi kam shumë nipa e mbesa, të cilët për çdo ditë kur kthehem nga puna më pyesin: A kemi shkollë nesër? Çka mund t’iu them, përveç se nuk e di. Po… a nuk je kryetar më thonë?! Zoti kryeministër, je kryeministri im dhe po ju drejtohem pa asnjë paragjykim, po ju drejtohem edhe në emër të atyre që i përfaqësoj. Zgjidhja është në dorën tuaj, populli e di se zgjidhja duhet të vjen nga ju, andaj bëre që nesër, bëre për hir të atyre fëmijëve që pyesin çdo ditë, nëse kanë shkollë nesër”, ka shkruar Xheladini.
Kryetari i Dragashit i kërkon kryeministrit Kurti hapjen e shkollave!
POSTIMI PARAPRAKNë Restelicë lëndohet një person në përleshje!
POSTIMI I RADHËSLajçak thotë se takimi me Kurtin ishte i thellë dhe i fuqishëm!