Prizren, 23 dhjetor 2022 – Me një koktej dhe program të begatshëm artistik, para të pranishmëve të shumtë, bashkëpunëtorë e afaristë, kompania “Vëllezërit e Bashkuar” nga Zhuri, me seli në Vlashnjë të Prizrenit, shënoi 50-vjetorin e themelimit dhe të punës së suksesshme në Industrinë e ndërtimit.
Menaxheri dhe njëherësh edhe bashkëpronar në këtë kompani, Sefer Susuri, në ceremoninë e mbrëmshme tha se me rritjen e kërkesave nëpër vite rritej edhe nevoja për menaxhim të mirëfilltë dhe, jo rastësisht, “Vëllezërit e bashkuar” u bë kompania e parë në këtë lëmi që në afat rekord u certifikua në sistemin e menaxhimit të cilësisë (ISO 9001-2000). “Ne jemi të licencuar për prodhimin e të gjitha llojeve e fraksioneve të agregateve për beton, asfalt dhe nënbazë, betonin e gatshëm, elemente të betonit për ndërtimin e rrugëve, ndërtimin e infrastrukturës për objekte banimi, ndërtimin e infrastrukturës për parqe të bizneseve, ndërtimin e urave dhe nënkalimeve, pastaj ndërtimin e objekteve afaristo-banesore, si dhe në ndërtime të tjera. Rrugëtimi ynë 50-vjeçar nuk ishte i lehtë dhe pa sfida. Por, falë përkushtimit permanent të menaxhmentit për edukim të vazhdueshëm, mbështetjes morale e financiare në arsimim dhe hulumtim, përcjelljes së trendeve botërore në menaxhimin e industrisë së ndërtimit, ekskluzivisht për prodhimin e betonit dhe të vet edukimit familjar, kompania jonë me sukses po e vazhdon rrugëtimin e përcaktuar në industrinë e ndërtimit. Gjithashtu, më duhet të theksoj se personi kyç në sukseset tona është prof. Muhamed Vranica, me të cilin kemi krijuar konceptin për ndërtimin dhe aplikimin e sistemit për kontrollin e cilësisë së prodhimit”, tha para të pranishmëve, Sefer Susuri, duke shtuar se kompania “Vëllezërit e Bashkuar” vizion e ka zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm, si në fushën e prodhimeve të produkteve për ndërtim, ashtu edhe në atë të shërbimeve, me qëllim që të vazhdoj të mbetet lider në Industrinë e ndërtimit.
Kujtojmë se historia e punës së kësaj kompanie daton që nga viti 1972, kur katër vëllezërit, Bajram, Shaip, Xhevat dhe Xhelil Susuri nga fshati Zhur, kishin investuar në një makinë për prodhimin e blloqeve të betonit. Por, objektivi kryesor dhe prioriteti i vëllezërve Susuri, ishte kontakti i drejtpërdrejt me secilin klient për të kuptuar nëse janë të kënaqur me cilësinë dhe shërbimin e kompanisë. Nga këto kontakte, ata mësuan se ku duhej të përmirësoheshin për nga cilësia e blloqeve të betonit. Ky sistem u bë rregull i pashkruar i tyre për t’u mishëruar më shumë në secilin proces gjatë aktiviteteve të kompanisë. Kështu që, me kalimin e viteve, krahas rritjes së gamës së produkteve të gatshme në sasi dhe në cilësi, kompania nisi edhe avancimin në kontrollin e cilësisë së lëndës së parë dhe profesionalizimin e të punësuarve në vazhdimësi.