Dragash, 29 gusht 2018 – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot ka organizuar tryezën me temën “Pjesëmarrja e komuniteteve joshumicë në procesin vendimmarrës në Komunën e Dragashit”, me qëllim të nxitjes së pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të zgjedhur në nivel lokal.
Në kuadër të kësaj tryeze ishte paraparë që anëtarët e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e kësajë Komune të flasin drejtpërdrejt me përfaqësuesit e zgjedhur në nivel komunal për problemet me të cilat ballafaqohen në jetën e përditshme si dhe adresimit të çështjeve dhe shqetësimeve të tyre tek vendimmarrësit, me qëllim të reflektimit në kërkesat dhe shqetësimet e komuniteteve joshumicë, por e gjithë tema u orientua në problemet e natyrave të ndryshme me të cilat ballafaqohen banorët e trevës së Gorës, duke filluar nga siguria e deri tek mbeturinat që gjithnjë e më shumë po e ngulfatin këtë trevë të komunës së Dragashit.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin nënkryetarët e Komunës, anëtarë të Kuvendit, anëtarë të Komitetit për Komunitete, drejtorë të Drejtorive komunale, përfaqësuesit nga Zyra për Komunitete dhe Kthim, si dhe qytetarë të komuniteteve joshumicë nga treva e Gorës, të cilët diskutuan për mënyrën se si të ngritet mirqenia e banorëve dhe kundërshtuan dallimet mes popullatës shumicë dhe asajë pakicë. “Nuk duhet të flasim vetëm për komunitetet joshumicë por për të gjithë banorët e komunës sonë, sepse jemi një komunë dhe ndajmë njësoj hallet e brengat. Ne duhet të shikojmë se si ta bëjmë jetën më të mirë për të gjithë”, tha Mursel Halili, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike.
Edhe anëtarët e Kuvendit folën për proceset e legjislativit komunal, ku u shprehen se në asnjë mënyrë nuk ka ndasi mes komuniteteve kur planifikojnë ndarjen e buxhetit për lokalitetet dhe as kur duhet miratuar diçka me rëndësi për banorët. Ajo që më së shumti u kërkua në këtë debat, ishte transparenca dhe njohja e qytetarëve për punën e institucioneve, jo vetëm përmes internetit por edhe në forma të tjera, duke i shfrytëzuar edhe mediat lokale.
KDI organizoi tryezë në Dragash – Kërkohet më shumë transparencë!
POSTIMI PARAPRAKNë Bruksel votohet pro liberalizimit të vizave
POSTIMI I RADHËSSërish policia konfiskon drogë në Dragash!