Prishtinë, 08 dhjetor 2014 – Pas gjashtë muajsh, që kur iu qas politikës, Margarita Kadriu nuk është më pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Njoftimin e ka bërë vetë ajo, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se, megjithatë, do të angazhohet dhe do të “luftojë” si deputete për interesat e të gjithë qytetarëve, si një zë i pavarur dhe i paanshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Si arsyetim për këtë, ajo ka shkruar se shkak i largimit nga PDK-ja është pamundësia për të ndryshuar pozitivisht gjendjen në shoqëri.
Arsyen e largimit të saj nga PDK-ja, portali “Express” e ka komentuar si hidhërim që asaj nuk iu dha një post ministror në qeverinë e re. “Ajo ka rënë në kundërshtim me veten, pasi ka dhënë dorëheqje nga subjekti i Thaçit, pikërisht në ditën kur janë ndarë postet. Pasi nuk ka marrë atë që ka lakmuar – postin ministror, Margarita është larguar nga PDK-ja, ku mbante postin e nënkryetares”, shkruan Express.
Ky është postimi origjinal i Margarita Kadriut në Facebook:
Të nderuar qytetarë,
U bënë 6 muaj prej momentit kur unë pranova të hyj në politikë, edhe atë pas ofertave të shumta disa vjeqare të Partisë Demokratike të Kosovës. Duke shpresuar se angazhimi në një subjekt politik është një mundësi për të kontribuar për luftimin e shumë të këqijave që kanë ndodhur këto 15 vitet e fundit në Kosovë, sikur edhe për dhënien shembull të një qeverisje ndryshe, e jo atë që e kemi parë deri më tani, kur pranohen poste , të cilat pastaj keqpërdorohen në vazhdimësi, periudha 6 mujore e angazhimit tim në PDK më ka dëshmuar dhe krijuar bindjen e plotë se për një NDRYSHIM pozitiv në interes të qytetarëve nuk ekzistojnë as më të voglat mundësi, së paku jo në këtë kohë dhe në këto kushte veprimi. Më 14 maj 2014 e kam theksuar se në politikë nuk po hyj për të marrë një karrige dhe për të sistemuar veten në një post, por për të kontribuar në të mirën e qytetarëve, andaj duke i parë gjërat për se afërmi gjatë kësaj periudhe 6 mujore, u binda se nuk ka asnjë mundësi për të ndryshuar gjërat për të mirë.
Nga sot nuk jam dhe nuk do të jem pjesë përbërëse e Partisë Demokratike të Kosovës
Ju siguroj se do të angazhohem dhe do të luftoj për interesa të të gjithë qytetarëve pa dallim, duke u bërë zë i pavarur dhe i paanshëm i qytetarëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me respekt,
Margarita Kadriu
Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës