Dragash, 09 mars 2018 – Këtë vit, në Ditën e Mësuesit, profesori Ismet Lecaj është nderuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si mësimdhënësi më i dalluar në komunën e Dragashit.
I lindur në fshatin Brezne, më 1953, Ismet Lecaj, shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa tetëvjeçaren në Bellobrad. Shkollën e mesme-gjimnazin në Prizren, SHLP drejtimin Gjuhë shqipe e Letërsi në Prizren. Fakultetin Filozofik me të njëjtin drejtim e vazhdoi në Prishtinë, për të diplomuar më 2 Korrik të vitit 1981. Për temë kishte “Të folmen e Opojës”, ku si risi para komisionit shtroi grupin e vjetër të zanoreve UO, që pati përmendur Eçrem Çabej se diku në Kosovë diku duhet të ruhet ky grup, pasi autorët e vjetër, Buzuku, Budi e të tjerët e përmendin në veprat e vjetra. Lecaj e dokumentoi si në sistemin foljor: Shkuom dhe në sistemin emëror: Quoll, buoll etj.
Nga viti 1975 filloi të punojë në shkollën fillore “Shaban Shabani” në Llopushnik, kurse nga viti 1997 vazhdoi punën në gjimnazin “Ruzhdi Berisha” në Dragash. Që vitin e parë filloi të demonstrojë vlera prej pedagogut të vyeshëm në procesin edukativo-arsimor, e ajo që e bën më të madh personalitetin e tij janë aktivitetet e lira në fushën e folklorit burimor, të cilin e demonstronte në Revistën e Folklorit Burimor në Drenas, deri kur u ndaluan vlera të tilla nga policia serbe.
Kontribut të çmuar kishte edhe me recitimet artistike për çdo vit, duke treguar mjeshtërinë e vet prej ushtruesit të mrekullueshëm. Ndaj, disa here zuri vendin e parë me recituesit e vet dhe duke përfaqësuar Kosovën në Velika Pllanë të Serbisë.
Me folklorin burimor, Kosovën e përfaqësoi në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit Burimor që mbahej në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb. Atje ishte në vitin 1982, në bashkëpunim me gjimnazin e atëhershëm “Emin Duraku”. Me dramat e veta bëri mrekulli, si askush tjetër më parë në komunën e Dragashit, duke i befasuar, jo vetëm shikuesit opojanë, por edhe ata prizrenas e më gjerë.
Dramat që zbukurojnë këtë personalitet, me trupën e vet amatore, ishin “Cuca e maleve”, “Shatë shaljanët”, “Hakmarrja”, “Nita”, “Lahuta e Malësisë”, “Stina e djegur”, si dhe shumë dramatizime tekstesh të shkruara nga vetë autori për jetën dhe veprën e dëshmorëve të Opojës, Vrrinit dhe për Adem e Hamëz Jasharin. Së fundmi, manifestimi “Flaka e Janarit” nuk mbeti asnjë vit pa u vënë në skenë nga profesori Lecaj, duke portretizuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën së bashku me Kadri Zekën dhe nënën Ajshe, pastaj Ismail Qemalin e Isa Boletinin së bashku me Ymer Prizrenin e Avdyl Frashërin, Mic Sokolin e shumë heronj e dëshmorë të tjerë.
Ismet Lecaj ka shkruar shumë recensione veprash të autorëve të ndryshëm opojanë dhe jo vetëm. Ka lekturuar shumë libra. Ishte Kryetar i klubit letrar “Luigj Gurakuqi”, nga viti 1990 e gjer pas luftës, si dhe ishte redaktor i revistës për fëmijë “Shkolla”, të cilën e botonte Radio Sharri, radio kjo me të cilën bashkëpunonte në fushën profesionale. Aktualisht është redaktor dhe lektor i revistës “Sharri”.
Lecaj ka shkruar mbi 90 libra, ndërsa kohëve të fundit është duke shkruar autobiografinë e vet për punën mbi gjysmëshekullore, me titullin: “Nga syri i kaltër i një skene”.
Deri më tani, në revistën “Sharri” ka shkruar rreth 300 faqe punime shkencore, me vlerë të veçantë për gjurmimet albanologjike, që do t’i ndihmojnë gjeneratat e reja për punime shkencore në folklor, këngë epike e lirike, toponomastikë, legjenda, fonetikë, morfologji e sintaksë, si dhe leksikologji.
Profesori Lecaj edhe sot vazhdon të shkruajë dhe mbetët shumë frytdhënës për arsimin kombëtar, duke kontribuuar në trevën e vetë, ku edhe sot jeton dhe vepron.
Në Ditën e Mësuesit, më 7 Mars 2018, krijuesi dhe gjuhëtari, prof. Ismet Lecaj, i cili po i bën rreth 44 vjet punë në arsim, është nderuar me mirënjohje nga Ministria e Arsimit, si mësimdhënësi më i dalluar në komunën e Dragashit.
Ismet Lecaj nderohet nga MASHT-i, si mësimdhënësi më i mirë në Dragash
POSTIMI PARAPRAKArtistja që përloti familjen Jashari dhe publikun (Video)
POSTIMI I RADHËSArti i burrëreshës nga Tirana, nuse drenicase!