Dragash, 29 maj 2014 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot ka shpalosur programin dhe vizionin e saj në Dragash, me moton “Ne mundemi”. Në sallën e Shtëpisë së Kulturës, të pranishmëve iu drejtua kreu i LDK-së, i cili garon për postin e kryeministrit të vendit, Isa Mustafa, i shoqëruar nga anëtarë të shumtë të kryesisë, si dhe nga kandidatë për deputetë, si Afërdita Berisha – Shaqiri, Hatim Baxhaku, Durak Salihu, etj. Mustafa, sikurse edhe kandidatet e Dragashit, të pranishmëve iu thanë se Dragashi dhe e gjithë Kosova meritojnë udhëheqje, të bazuar në traditë, profesionalizëm dhe vlera njerëzore. “Këtë ju garanton LDK-ja. Ne jemi të bindur se kësaj radhe do ta kemi votën tuaj. Duam që ta ndërrojmë këtë pushtet, duke i siguruar Kosovës një pushtet më të mirë, një qeverisje më të mirë”, tha Mustafa, duke përsëritur edhe kësaj radhe ndërtimin e rrugës për në Tetovë. “Jemi të interesuar që të krijojmë më shumë vende pune, jo aq sa ka premtuar Thaçi, por rreth 120 mijë vende do t’i sigurojmë. Madje, do të krijojmë kushte edhe për mërgimtarët, të cilët duan të kthehen në Kosovë për të investuar”, tha Mustafa, i cili premtoi edhe ujë të pijshëm për fshatin Brezne dhe jo vetëm. “Ne do të sigurojmë ujë të pijshëm, do të ndërtojmë një shkollë në fshatin Bresanë, do të zhvillojmë turizmin dhe blegtorinë… Dhe, atë që ju premtojmë sot, edhe do ta realizojmë”, tha mes tjerash Mustafa.