Dragash, 23 tetor 2018 – Pas shumë raportimeve në media, sot janë deklaruar edhe zyrtarët e komunës së Dragashit, duke sqaruar se ditë më parë, Inspktorati i Tregut i Komunës së Dragashit, të mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Njësiti Antikontrabandë i Doganës, kanë zhvilluar inspektime të përbashkëta, me qëllim të parandalimit të ushtrimit të veprimtarive ilegale në disa lokacione të kësaj komune. “Inspektorati i Komunës së Dragashit, së bashku me Njësitin Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, kanë kontrolluar katër lokale afariste në fshatin Brezne të Dragashit, nën dyshimin se në këto lokale po kryhen veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit, me ç’rast dy lokaleve u janë konfiskuar katër shtëpiza të kompjuterit, ndërsa dy të tjera janë mbyllur përkohësisht. Kontrollimi ka vazhduar edhe në fshatin Plavë, tek udhëkryqi i rrugëve regjionale, ku janë konfiskuar dy shtëpiza të kompjuterit. Ndërsa në Bellobrad janë gjetur dhe konfiskuar katër aparate të pokerit”, thuhet në njoftimin zyrtarë të Komunës së Dragashit.
Inspektori, Enis Sylejmani, tha sot se aksionet e tilla nuk duhet të konsiderohen qëllimkëqia, por vetëm si kontroll dhe mbrojtje e po kësaj veprimtare, njëkohësisht edhe mbrojtje e klientëve. “Nuk kemi asgjë kundër kësaj veprimtarie por jemi angazhar që t’i bëjmë të barabarta para ligjit të gjitha llojet e veprimtarive. Aksioni ka qenë vetëm në bastore dhe lojëra të tjera të paregjistruara dhe të palicencuara. Si i tillë, aksioni mund të kuptohet edhe si mbrojtje e veprimtarive të tilla legale dhe mbrojtje e konsumatorëve”, tha sot për redaksni tonë, Enis Sylejmani.