Dragash, 14 shtator 2020 – Me fillimin e vitit të ri shkollor, nxënësit do të kenë më shumë tituj librash në bibliotekat shkollore, madje nga një autor opojan. Kjo, pasi shkrimtari i njohur për fëmijë, Ibrahim Skenderi, nga fshati Brrut, komuna e Dragashit, ka dhuruar 250 libra autoriale për bibliotekat e tetë Skollave Fillore dhe të Mesme të Ulëta, Shkollën e Mesme të Lartë “Ruzhdi Berisha”, si dhe për Bibliotekën Komunale me pesë bibliotekat satelite të saj. “Secilës shkollë dhe Bibliotekës Komunale në Dragash iu dhuruan nga 20 libra, përkatësisht 10 libra nga botimi më i ri ‘Aktrojmë kuqezi’ dhe 10 nga libri i ribotuar ‘Burri në pikturë’ që i kushtohet Ymer Prizrenit, kryetarit të parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Shtypjen e librit të fundit e ndihmuan kryetari i Komunës dhe Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini e Sport në Dragash”, tha për redaksinë tonë autori.
Ibrahim Skenderi edhe në dy raste të tjera kishte dhuruar libra nga botimet e tij; në maj të vitit 2001, nën mbështetjen nga shtypshkronja “Brruti”, me pronarë Xheladin Nuridinin dhe Ismail Hasanin, ku dhuroi 500 ekzemplarë të librit “Nesi Supervashë” (botim nga “Rilindja”), libër ky për fëmijë të dëshmorëve të UÇK-së. Ky libër ishte dorëzuar edhe në Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së, në Prishtinë. Ndërkaq, më 9 korrik 2004, Qendrës për Rehabilitim të Fëmijëve dhe Nënave, në Prishtinë, iu kishte dhuruar 100 libra, botime autoriale për fëmijë.
Ibrahim Skenderi i pasuron me libra shkollat dhe bibliotekat e Dragashit
POSTIMI PARAPRAKFillojnë punimet në ndërtimin e “Kroit të Satos” në Bellobrad
POSTIMI I RADHËSAs sot nuk përfundoi gjykimi ndaj deputetit Adem Hoxha!