Greva e mësimdhënësve dhe klasa autobus!

Greva e mësimdhënësve dhe klasa autobus!

Nga: Beqir BEQAJ


• Në një mësonjëtore të vogël, e cila i ngjan një koteci pulash, janë 20 nxënës të shkollës së mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash që mëtojnë të marrin arsimin e mesëm të lartë. Por, në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti shkollor, vetëm tre nxënës kaluan me nota pozitive. Shtatëmbëdhjetë nxënësit e tjerë u përcollën me nota të dobëta!
E njohur nga nxënësit e kësaj vatre arsimore si “autobus”, kjo klasë nuk është, as sa gjysma e një autobusi, ndonëse, për nga gjerësia, mund të matet me një autobus. Sikur t’i vënin një emër adekuat, kjo klasë mund të quhej “kombibus”. Por, kjo nuk ishte arsye që 17 nxënësit ngelën me nota të dobëta. Arsye e vërtetë është mungesa e mësimdhënies. Këtë e them me bindje të plotë, pasi në një vizitë që i pata bërë kësaj klase, të gjithë nxënësit dukeshin normalë. Asnjëri nuk më reflektoi se mund të kishte të meta mendore. Secili dukej më i bukur se tjetri, më i veshur se tjetri, më inteligjent se tjetri. Përkundër kësaj, ata ishin të kripur me nota të dobëta. Dhe, kur i pyeta përse kaq nota të dobëta kanë, njëri prej tyre më tha se, orët kalohen këtu me batuta e barsoleta, ndërsa notimi bëhet sipas shkallës së mësimnxënies. “Në orët e mësimit, tërë kohën dëgjojmë batuta e barsoleta. E kur po vjen koha për t’u pyetur, askush nuk po na pyet për barsoleta por po na kërkojnë t’i themi mësimet që do të duhej t’i dinim”, më tha njëri nga nxënësit që dukej se ishte inteligjent.
Kur këtij niveli të mësimdhënies i shtohet edhe sasia e ditëve aktive në procesin mësimor, detyrimisht se 98 përqind e nxënësve do të rezultojnë me nota të dobëta. Fëmijët tanë, tashmë janë mësuar të mos e fillojnë mësimin në datat e caktuara, pas pushimeve të shumta që kanë. Fillimisht ballafaqohen me grevat e mësimdhënësve, pastaj edhe me ekskursionet e shumta, të cilat, ndonëse gjithë beharin janë në pushim, i bëjnë që në ditët e para të fillimvitit shkollor. Të mos i harrojmë edhe pushimet dimërore, pranverore etj.
Sikur t’i llogarisnim ditët aktive të mësimdhënies, zor se mund ta quajmë një vit shkollor si të tillë!
Mësimdhënësit tanë kanë ditur të na i mësojnë fëmijët edhe në ditët më të vështira, kur kishin një pagë minimale apo ishin fare pa të. Kanë ditur të japin maksimumin nga vetja edhe në ditët e para të pasluftës e deri para një dekade, ndërkohë që paguheshin shumë pak. Janë munduar që gjithë dijen e tyre t’ua dhuronin fëmijëve tanë dhe, për hir të së vërtetës, ia kanë dalë në masë të madhe që të nxjerrin kuadro profesionale.
Sot, kur aktualisht kanë një pagë solide, ndërkohë që arsimi po na degradohet për ditë e më tepër. Sot, kur Kosova po na mbushet me analfabetë me diploma, kur Kosova po kalon periudha të vështira edhe në mbijetesën e saj si shtet. Sot, kur çdo ditë po dëgjojmë se shtetësia e Kosovës po na rrezikohet dhe, kur po presim se çfarë do të ndodhë me fatin tonë, athua mund ta arsyetojmë këtë grevë? Athua mund ta arsyetojmë këtë grevë, kur nipi im që vijon mësimet në klasën e tetë, i llogarit numrat njëshifrorë me gishta? Athua mund ta arsyetojmë këtë grevë, kur të diplomuarit në fakultete, ende nuk e dinë drejtshkrimin?
Për mua, nuk keni arsye të kërkoni paga më të larta se ajo që po ju ofrohet nga qeveria. Por, ju vazhdoni së kërkuari shumën maksimale, ashtu siç do të vazhdojë edhe unë ta kërkojë angazhimin tuaj maksimal që t’i mësoni fëmijët tanë. E, nëse ata do ta mbarojnë edhe fakultetin dhe nuk do të dinë as drejtshkrim, më falni, nuk keni arsye të protestoni. Pos, nëse këtë po e bëni me porosi, për një qëllim të caktuar.