Dragash, 22 tetor 2016 – Të organizuar nga vetë fshatarët dhe të motivuar nga thirrjet që kohët e fundit po iu bëhen nga diaspora, përmes rrjeteve sociale, banorët goranë nga fshati Vraniç, në komunën e Dragashit, sot kanë protestuar kundër ndërtimit të njërit prej disa hidrocentraleve që po ndërtohen në këtë trevë. Ata kanë kërkuar që lumi, i cili kalon në afërsi të pronave të tyre, të mos shfrytëzohet për, siç thanë, përfitime të një kompanie. Protesta u organizua tek ura e fshati Mlikë, ku edhe kanë filluar punimet në ndërtimin e kampit të punëtorëve, të cilët më pas do të punojnë në ndërtimin e një hidrocentrali nga kompania “Eurokos JH”, kompani kjo që tashmë i ka përfunduar së ndërtuari disa sosh në këtë trevë.
Redaksia jonë ka biseduar në vendin e ngjarjes me këta banorë, të cilët kanë thënë se nuk janë të motivuar politikisht, por thjeshtë duan ti mbrojnë tokat e tyre dhe lumin, pa të cilin thonë se tokat e tyre nuk do të kishin vlerë.
“Sikur të ishte ky një investim i shtetit ose i komunës, duke përfillur interesin e këtij komuniteti, gjithçka do të ishte në rregull. Por, ne nuk i japim tokat tona dhe as lumin që na e ka dhuruar Zoti, për interesa të një kompanie private, të cilës i intereson vetëm përfitimi material dhe jo interesi i përgjithshëm”, tha për Radio Sharrin, Fejzo Kamberi, një aktivist nga fshati Vraniç, dikur edhe gazetar.
Kujtojmë se në këtë fshat ndodhet selia e Komunës paralele të Gorës, e cila vepron me ligjet e Serbisë dhe si e tillë dirigjohet nga Beogradi. Prandaj, rreth këtij problemi ka shkruar sot edhe agjencia informative serbe “Tanjug”, e cila e ka cituar koordinatorin për medie të kësaj Komune, Nazim Mehmedin, i cili ka deklaruar se po e mbrojnë tokën e tyre. “Kryesit e punimeve, në mënyrë të paskrupullt po punojnë me makineri të rëndë, duke i shkelur tokat e tyre private, pa kurrfarë leje paraprake nga pronarët”, i ka thënë Mehmedi Tanjugut.
Në protestën e sotme banorët e rrethuan me gardh pronën e parë private, skaj parcelës ku po ndërtohet kampi i punëtorëve, si dhe kërkuan që organet përkatëse që t’i ndërpresin këto punime dhe ta mbrojnë lumin nga devijimi i rrjedhjes së tij. Njëherësh, banorët paralajmëruan se protestat do të zhvillohen çdo ditë, derisa të mos ndërpriten këto punime.
Goranët protestojnë – Nuk duan hidrocentrale!
POSTIMI PARAPRAKFilloi ndërtimi i sheshit “Adem Jashari” në Dragash!
POSTIMI I RADHËSLDK-ja e përshëndet largimin e drejtorit të Arsimit!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.