Gazetarët në Kosovë ndihen të kërcënuar dhe shantazhuar!

liria e mediavePrishtine, 03 maj 2015 – Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Instituti i Medias së Kosovës (IMK), e mbështetur nga ambasada e Norvegjisë në Kosovë, ka organizuar sot një takim me drejtuesit e mediave, me të cilët u diskutua për lirinë e gazetarëve në punën e tyre. Kryetari i IMK-së, Fazli Veliu, tha se çështja e lirisë së shprehjes po vazhdon të mbetet brengosëse dhe se gazetarët vazhdojnë të jenë të kërcënuar dhe të shantazhuar. Veliu iu bëri thirrje institucioneve që të veprojnë për të hetuar kërcënimet ndaj gazetarëve.
Nga ana tjetër, ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Brathu, tha se mediat në Kosovë dhe rajon vazhdojnë të jenë larg të qenit të kompletuar. Diplomati norvegjez potencoi se Kosova ka ligje të mira por, sipas tij, ato duhet të zbatohen dhe jo të mbetën vetëm në letër.
Në konferencën “Liria e shprehjes në mediat e Kosoves”, e cila u organizua në bashkëpunim me UBT-në, u diskutua edhe për probleme të shumta, me të cilat përballen mediat nacionale dhe ato lokale. Përfaqësuesit e këtyre të fundit kritikuan radiotelevizionin publik (RTK), i cili, sipas tyre paguhet nga paratë e taksapaguesve dhe gëzon privilegje të shumta, për dallim nga mediat private të cilat po ballafaqohen me skamje dhe varfëri. Madje, në këtë konferencë u tha se, me nëntë milionët që merr RTK-ja nga buxheti i shtetit, do të ishte shumë më mirë që të financoheshin nëntë televizione rajonale, me nga një milion. Në fund u vlerësua se takime të ngjashme duhet organizuar më shpesh, pasi vetëm kështu do të nxirrej në pah çdo problem që po pengon zhvillimin e medieve, bashkë me të do të rritej edhe cilësia e informimit, si dhe liria e shprehjes së tyre.

Leave a Reply