Prizren, 10 shkurt 2017 – Drejtues të lartë dhe oficerë të FSK-së, para maturantëve të gjimnazit “Loyola” në Prizren, sot kanë shpalosur ofertën e kësaj force që të rinjve iu mundëson të bëhen pjesë e saj në atë ardhmen. Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të informimit të maturantëve dhe orientimin e ardhshëm profesional, ndërkohë që interesimi i tyre për të studiuar në qendrën e studimeve të FSK-së dhe për t’u bërë pjesë e kësaj force ka qenë i lartë.
Gjenerali i FSK-së, Gëzim Hazrolli, dhe oficerë të tjerë të kësaj force, para maturantëve janë shprehur të kënaqur me kapacitetet që ofron “Loyola” dhe me interesimin e nxënësve maturantë, të cilët të ardhmen e tyre e shohin në strukturat e FSK-së, natyrisht pas një përgatitjeje profesionale që kalon në fazën e studimeve dhe përgatitjeve tjera të parapara. Këtë prezantim e vlerësoi lartë edhe dr. Axel Bodefeld, drejtor i gjimnazit “Loyola”, duke thënë se është në interesin e tyre si institucion arsimor që nxënësve t’u ofrojnë mundësitë për t’u informuar për karrierën e tyre, të kenë mundësi të përcaktohen drejt, sepse ata duhet të jenë në shërbim të së ardhmes dhe të përparimit të vendit tonë. Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit kanë bashkëbiseduar me oficerët e FSK-së, kanë parashtruar pyetje për funksionimin e kësaj trupe, për mundësinë që të studiohet në qendrën e studimeve të FSK-së, për sfidat, përgjegjësitë, por edhe për mundësinë e ngritjes në karrierë, nëse arrijnë të kalojnë fazën testuese dhe të bëhen pjesë e kësaj trupe.
I themeluar 12 vjet më parë, gjimnazi “Loyola”, bazuar në të arriturat e testit të semimaturës dhe të maturës, vazhdon të prijë për rezultate të larta në nivel vendi. Poashtu, gjimnazi “Loyola” nxënësve iu mundëson që, pas përfundimit të shkollës së mesme, të kenë mundësi të punojnë dhe të studiojnë në Gjermani, në kuadër të një projekti me kompanitë më të njohura gjermane, në fushën e teknikës, teknologjisë, sistemit shëndetësor etj.
• Përgatiti: Enver SULAJ