Filloi mbulimi i stemave në targat serbe!

Filloi mbulimi i stemave në targat serbe!

Prishtinë, 04 tetor 2021 – Në pikat kufitare me Serbinë sot ka nisur zbatimi i regjimit të mbulimit të stemave shtetërore në targat serbe që hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas, si masë që doli nga marrëveshja e arritur ditë më parë në Bruksel.
Fillimin e implementimit të këtij regjimi e ka transmetuar drejtpërdrejt televizioni publik serb (RTS), ku gazetarët kanë qëndruar në Jarinë në të dy anët e kufirit. “Ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje, zbatimi ka filluar në praktikë, në mënyrë që t’ju mundësohet qytetarëve lehtësimi i lëvizjes për dallim nga ditët paraprake kur detyroheshin të pajiseshin me targat e përkohshme”, raportuan sot gazetarët nga Jarina.
Edhe policia e ka konfirmuar këtë fillim të regjimit të ri, duke shtuar se pajisja me stikersa po e përshpejton qarkullimin për dallim nga ndërrimi i targave. “Sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, ne do të vazhdojmë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe garantimin e lëvizjes së lirë në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e policisë.