Bukë falas për varfanjakët e Paskuqanit të Tiranës!

buke falas tiraneTiranë, 14 prill 2014 – Jo shumë larg qendrës së Tiranës, në zonën e Paskuqanit, dy vëllezër kanë ndërmarrë një nismë shumë humane, duke dhënë bukë falas për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë, raporton Vizion Plus.
Në shitoren e vëllezërve Ahmati, në vendin ku ndodhet buka, është vënë një njoftim, në të cilin thuhet: “Nëse keni nevojë për bukë, e nuk keni mundësi ta blini, ju lutemi merreni falas”. Sipas Sefedin Ahmatit, njërit prej vëllezërve pronarë, kjo është një nismë që kanë marrë familjarisht. “Ajo nuk ka qenë thjesht një ide, por ka qenë një obligim për ne, si një detyrim fetar, që ne të ndihmojmë të varfrit”, ka thënë Sefedini. Kjo iniciativë e tyre, ka rreth dy muaj e gjysmë që është vënë në zbatim dhe, sipas tij, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. “Ideja që të kontribuojmë në këtë fushë, ka ardhur nga një person, i cili ka pranuar se i kishte vënë fëmijët e tij në gjumë, pa ngrënë darkë, sepse nuk kishin bukë. Na erdhi shumë keq dhe menduam të bëjmë diçka. Meqë ne kishim marketin tonë, vendosëm që ta realizojmë idenë, për t’iu dhënë bukën falas këtyre familjeve. Një numër i konsiderueshëm njerëzish, marrin bukë këtu çdo ditë. Janë familje, të cilat kanë vërtet nevojë të madhe për ushqim dhe që vuajnë për bukën e gojës”, njofton Sefidini.
Në derën e këtij marketi, kryesisht në mëngjes, drejtohen familje të varfra skajshmërisht. Një familje merr, aq bukë sa i nevojiten, në bazë të numrit të anëtarëve. “Kemi pasur familje, që kemi shkuar vetë për t’i ndihmuar, sipas rekomandimeve që kemi marrë prej njerëzve të tjerë. Një pjesë të familjeve në nevojë, i njohim edhe vetë, pasi jetojmë në të njëjtën zonë”, ka sqaruar Ahmati.

KËRKO FJALËT

Leave a Reply